Statuti i PD/Mustafaj e Patozi: Me Bashën, nga humbja në humbje

schedule15:12 - 29 Prill, 2018

schedule 15:12 - 29 Prill, 2018

Asgjë të re nuk shohin nga Kuvendi i të dielës dy prej figurave të PD, Besnik Mustafaj dhe Astrit Patozi. Oponentët e Bashës thonë në një intervistë për ABC News se nën drejtimin e tij PD nuk ngjall besim. Por nga ana tjetër, nuk e shohin zgjidhjen as tek rikthimi i Berishës.

Ndryshimet në statutin e PD, nuk shikohen si mekanizmi që do garantojë besim për fuqizimin e partisë nën lidershipin e Lulzim Bashës. Megjithatë, në një intervistë për ABC News, Besnik Mustafaj dhe Astrit Patozi, ndahen për pikën më të nxehtë të debatit, dorëheqjen e kryetarit kur humb zgjedhjet, një propozim i oponentëve të Bashës, i rrëzuar me votim në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar.

Mustafaj: Në asnjë statut nuk ekziston kjo, por është një standard praktik dhe në këtë kuptim Berisha e vendosi, si Fatos Nano më parë tek PS, një standard që nuk duhet prishur, sepse prishja e këtij standardi rrezikon ekzistencën e partisë.

Patozi: Duhet të vendoste limitin e drejtimit të PD nga një kryetar që humbet, e kishim të domosdoshme se treguam se nuk mbahet përgjegjësi për një humbje dërrmuese, që të jepte garanci se kjo parti nuk do shkojë nga humbja në humbje e ta konsideronte fitore duhet ta kishte të shkruar që kryetari humbës jep dorëheqjen e që nuk do vazhdohej në këtë linjë…kjo nuk ndodhi e prandaj asgjë e re.

Ish nënkryetari i PD Astrit Patozi nuk pranon krahasimin me kohën kur PD drejtohej nga Berisha, kur statuti shkelej edhe në raste humbjesh. Ai kujton se humbja e zgjedhjeve të 2001, të çertifikuara edhe nga OSBE si të deformuara, nuk ishte e PD, për pasojë askush nuk i kërkoi dorëheqjen Berishës. Por krahasimin e bën me PD e 1997.

Patozi: Sali Berisha, që nga viti 1997 kur e rimorri partinë e deri në vitin 2001 e ngriti, pra grupi parlamentar i PD u dyfishua megjithë këtë llum që përmenda, kurse z.Basha çfarë ka bërë? E përgjysmoi grupin parlamentar në një farë mënyrë, pra mori një fond të caktuar dhe ne menduam që do ishte fundi i botës në vitin 2013, por ky fund na doli të kishte qenë më i këndshëm në raport me atë që ndodhi 4 vite më vonë, pra janë të pakrahasueshme situatat dhe kjo e bën z.Basha përgjegjësin e vetëm të kësaj katrahure që i ka ndodhur PD në këto vitet e fundit.

 

Edhe pse nuk kanë pritshmëri nga kuvendi kombëtar, të dy tregojnë se si mund të ringrihet PD.

Mustafaj: Unë kam qenë dhe mbetem i bindur se PD fillon ringritjen e saj vetëm po të hapë një garë të vërtetë të modelit që kanë primaret në Amerikë ku të gjithë kandidatët gjatë disa muajve të mund të ballafaqohen me demokratët, me elektoratin në përgjithësi dhe ne do shihnim aty, për këtë jam i bindur a propri, nuk bëj poezi në këtë rast, se do shfaqeshin personalitete shumë interesante, të cilët do të mund ta luanin atë rol, për të cilin ne demokratët kemi nevojë. Por me emërime nuk bëhet, në partitë e djathta, të emëruarit kanë qenë tranzitorë zakonisht.

Por nëse nuk e shohin zgjidhjen tek Lulzim Basha, të ardhmen nuk e shohin as nga Berisha

Patozi: Nuk më duket të jetë spektator Berisha, por më duket një aktor i dorës së dytë, por jo spektator, sepse është i pranishëm në zhvillime e përpiqet të ketë një lloj protagonizmi.

Mustafaj shkon edhe më tej, kur i quan të dëshpëruar ata që kërkojnë rikthimin e Berishës

Mustafaj Unë besoj se thirrja për rikthimin e Berishës buron nga dëshpërimi për paaftësinë e Bashës, pra nuk është se edhe këta që e thërrasin Berishën, si një faktor për ta ringjallur PD, e ftojnë dmth, nuk besoj se edhe këta e mendojnë se ai është vërtetë shpëtimtari, por në kushtet e një dëshpërimi që kanë shumë demokratë nuk shohin një njeri të përshtatshëm në skenë. /abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!