Starova: Superiore e çuditshme, ka ndikuar faktori psikologjik

schedule22:16 - 21 Tetor, 2019

schedule 22:16 - 21 Tetor, 2019

Trajneri i njohur, Sulejman Starova, është një nga të ftuarit në studion e “Pressing” në ABC News. Starova analizoi kampionatin shqiptar dhe preku disa tema të tjera. Në fjalën e tij, ish-trajneri i Laçit tha:

RENDITJA – “Nuk mund ta them me një fjalë, duke qenë se dhe ju e filluat emisionin duke thënë se faza e parë ishte e çuditshme. Faktori psikologjik ka qenë determinant për skuadrat dhe ka ndikuar shumë”.

SKUADRA PËR T’U MUNDUR – “Aspekti psikologjik është i shoqëruar me një ekuilibër që kanë të gjitha skuadrat. Ka disa skuadra që janë të favorizuara në këtë fazë. Tirana ka tre transferta, Partizani tre ndeshje brenda. Këto mund të bëjnë dhe ndërrimin e vendeve në klasifikim. Duke filluar nga Teuta që është e para, faktori psikologjik ka qenë pozitiv. Skuadra ka investuar dhe ka objektiv Kupat e Europës. Ka presion më pak se skuadrat e tjera për titullin kampion. Nuk jam i sigurt për punën e favorizimit sipas kalendarit, pasi dhe ky është një faktor. Bylis vazhdon të thotë se objektivi i tyre është të mos bien nga Kategoria. Kjo gjë është diçka pozitive për ta, pasi nuk kanë atë presionin: O fitore, o s’ka!”

KLASIFIKIMI – “Ky klasifikim nuk është aq i çmendur, pasi aty ke dhe skuadër me emër. Para dy javësh, po, ishte i çmendur, pasi ishin Vllaznia dhe Bylis. Por dhe Vllazninë e dëgjon duke thënë se objektivi është të mos bien nga Kategoria. Vllaznia është një skuadër që erdhi nga Kategoria e Parë dhe kishte disa probleme të tjera. Unë i qëndroj asaj se edhe Vllaznia bën pjesë te skuadrat që nuk ka pasur presion psikologjik. Kur ka pasur presion, i ka humbur të dyja takimet, me Tiranën dhe Partizanin. Kur del Lici e thotë do të futemi në Europë, fillojnë lëkundjet. Tirana ka shumë presion, ka bërë “bum” në merkato. Me tregues, sulmi i Tiranës ishte shumë i fortë sezonin e shkuar, por kishte probleme në mbrojtje. Në këtë merkato, i ka dubluar të gjithë lojtarët. Sigurisht, me objektivin e shfaqur që në fillim, edhe për 100 vjetor, edhe për merkaton që bënë”.

PARTIZANI – “Preferencat e trajnerit për të vendosur 11-shen çdo javë, ka pasur polemika. Partizani ka pasur disa probleme me trajnerin, por bën pjesë në skuadrat që e kanë mbajtur mirë presionin. Edhe Kukësi është një skuadër që ka presion, ndoshta jo sa Tirana e Partizani, pasi kanë më shumë tifozë, por Gjici ka të drejtë kur thotë se kam investuar dhe e dua ekipin në vend të parë. Nuk jemi në një fazë që kërkohet llogari, ka dhe tre faza të tjera.

PACULT – “Pacult ka thënë: Këtu kam parë trajnerët dhe lojtarët të jenë më shumë në presion se në çdo vend të botës. Kudo investohen para, por ku është në masa të tepruara, ndikon në rezultat”./abcnews.al