Spanjë, gazetarja sulmohet seksualisht teksa po raportonte

schedule21:37 - 12 Shtator, 2023

schedule 21:37 - 12 Shtator, 2023

Një burrë u arrestua sot pasi preku të pasmet e një gazetareje që po raportonte drejtpërdrejt reportazhin e saj në një rrugë në Madrid, njoftoi policia kombëtare e Spanjës.

Gazetarja Isa Balado ishte në një rrugë të Madridit dhe po raportonte për kanalin Cuatro, reportazhin e saj për një grabitje me armë. Teksa ajo mban mikrofonin dhe po raporton, pas saj shfaqet një burrë, i cili i afrohet dhe i prek të pasmet. Kanali tha në faqen e tij të internetit se lajmëroi policinë.

Një nga gazetarët më të njohur në Spanjë, Diego Losada, tha se “sulmi ndaj Isait ishte një sulm ndaj të gjithëve ne. Në një shoqëri që duam ta bëjmë më të mirë, këto gjëra nuk lejohen të ndodhin, kjo ndjenjë mosndëshkimi nuk mund të ekzistojë më”.

Ministrja e Përkohshme e Barazisë, Irene Montero, shkroi në Platformën: Prekja jo konsensuale përbën dhunë seksuale dhe ne themi: mjaft pa u ndëshkuar.

Prej tre javësh Spanja është tronditur nga rasti i Luis Rubiales, ish-presidentit të Federatës së Futbollit i cili dha dorëheqjen pasi puthi Jennifer Hermoso, lojtaren e kombëtares fituese të Kupës së Botës për femra. Rubiales dha dorëheqjen pasi Hermoso ngriti një padi kundër tij dhe do të dalë para një hetuesi të premten e ardhshme për të dëshmuar si i dyshuar për sulm seksual.