Sondazh

A po e dëmtojnë protestat turizmin në Shqipëri?

Loading ... Loading ...
 

Spanja ende në flakë, alarm për valën e re të të nxehtit

schedule10:35 - 28 Korrik, 2026

schedule 10:35 - 28 Korrik, 2026

Situata me zjarret në Spanjë vazhdon të jetë kritike.

Dy vatrat e mëdha të zjarrit, ajo në Ávila dhe tjetra në rajonin e Madridit janë bashkuar, duke krijuar atë që ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, e ka cilësuar si “zjarri më agresiv në historinë e Spanjës”.

Flakët ende nuk janë vënë nën kontroll dhe deri më tani kanë përfshirë rreth 75 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 90 mijë persona janë detyruar të evakuohen ose të qëndrojnë të izoluar për arsye sigurie.



Një tjetër vatër aktive ndodhet në Vall d’Uixó, në provincën e Castellónit, në rajonin e Valencias. Atje zjarri ka djegur rreth 7.200 hektarë, kryesisht në zonën e mbrojtur natyrore të Sierra de Espadán, ndërsa rreth 16 mijë banorë janë evakuuar.
Në zonën e prekur ka mbërritur edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, i cili paralajmëroi se vendin e presin “orë të vështira dhe të ndërlikuara”, sidomos për shkak të një vale të re të të nxehtit që pritet të zgjasë deri të dielën dhe që mund të vështirësojë punën e zjarrfikësve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë me rigorozitet masat parandaluese.

“Që nga fillimi i vitit janë djegur mbi 170 mijë hektarë tokë dhe rreth dhjetë zjarre të mëdha vazhdojnë të përhapen në të gjithë vendin. Përballë rritjes së temperaturave dhe valës së re të të nxehtit të paralajmëruar nga Agjencia Shtetërore e Meteorologjisë (Aemet), u bëj thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal”,deklaroi Sánchez.

Operacionet për shuarjen e zjarreve janë vështirësuar edhe më shumë gjatë orëve të fundit për shkak të erërave të forta që kanë përfshirë zonat e prekura. Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e përshkroi situatën si “ferr”.

Më herët gjatë ditës, gjatë prezantimit të Rrjetit të Strehëve Klimatike në Madrid, Sánchez u ndal sërish te ndryshimet klimatike.

“Ajo që po përjetojmë nuk është një seri ngjarjesh të izoluara, por shprehja më e dhimbshme e një emergjence klimatike që po i bën zjarret e gjeneratës së gjashtë gjithnjë e më shkatërruese, valët e të nxehtit më të shpeshta dhe territorin tonë më të cenueshëm. Kjo nuk është më përjashtim, por tashmë është bërë rregull”,u shpreh ai.

Për situatën reagoi edhe zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian, Teresa Ribera, në një intervistë për gazetën El País.

“Evropa nuk është e përgatitur për pasojat e ndryshimeve klimatike që tashmë po i shohim”, tha Ribera.

Ajo shtoi se në tetor Komisioni Evropian pritet të miratojë një strategji dhe një komunikim të ri për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.

“Gjëja e parë që duhet shmangur është mohimi kriminal i këtij fenomeni nga disa forca politike në nivel evropian, të cilat mendojnë se duke e fshehur ose mohuar problemin, ai do të zgjidhet ose do të zhduket”, përfundoi ajo.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!