Nis në Berlin samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, thirrur me ftesë të kancelares Merkel dhe Presidentit francez Macron.
Raportet e fqinjësisë në Ballkan si dhe kërkesa për vijimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit pritet të jenë temat më kryesore gjate diskutimeve në këtë samit.
Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Ndërsa Kosova nga Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Serbia dhe Mali i Zi gjithashtu do të përfaqësohen nga Presidenti dhe kryeministri.
Ndërsa Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet nga kryeministri Zaev. Takimi i parë i këtij samiti është mes kancelares gjermane Angela Merkel dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Më pas Merkel do të zhvillojë një bisedë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, që do të pasohet nga një tjetër bisedë dypalëshe mes saj dhe presidentit Macron e që më pas do t’ia lërë vendin konferencës së përbashkët për shtyp në 17:30.
Më pas takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të marrin pjesë edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe Komisioneri Johanes Hahn do të nisë rreth orës 17:45 dhe parashikohet të zgjasë deri në orën 19:30. Brenda kësaj kohe, sipas axhendës së siguruar nga mediat kosovare, pritet të ketë edhe një darkë pune.
Ndërkohë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Europian, Mogherini, deklaroi se nëse Kosova do të heqë taksën e vendosur ndaj mallrave serbe, dialogu do të riniste të nesërmen./abcnews.al