Sot vijnë mbi 8 mijë doza, Fico: Arsyeja pse do i zgjedhë mjeku të moshuarit që do vaksinohen

schedule19:35 - 22 Shkurt, 2021

schedule 19:35 - 22 Shkurt, 2021

Mbrëmjen e sotme pritet që të mbërrijnë nga “Pfizer” 8190 vaksina të tjera. Por cilat kategori do të jenë në radhë? Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico e ftuar në Radarin Informativ në ABC me gazetaren Jonida Shehu u shpreh se do të vijohet me personelin shëndetësor dhe të moshuarit.

E ndërsa zv/ ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha mbrëmë se personat mbi 80-vjeç që do të vaksinohen po përzgjidhen nga mjeku i familjes, Fico shpjegoi arsyet e këtij vendimi.

E rëndësishme është për të shkuar përpara me këtë proces. Me 8 mijë dozat e para dhe ato që pritet të vijnë të vijojmë planin e vaksinimit që ka dy grupet e para; personeli shëndetësor dhe paralelisht, kemi filluar para disa ditësh edhe vaksinimin e të moshuarve”.

Por sa gjasa ka që mjeku i familjes do i rezistojë presionit të ndërhyrjeve? “E para personalisht duke qenë mjeke nuk kam dyshim te mjeku i familjes, pasi është ai që është pranë qytetarit. Mjeku i familjes është aty kur ka probleme. Armata e mjekëve ka punuar gjithmonë në presion.

Nuk dua ti paragjykoj. A ju besojmë mjekëve të familjes? Pa diskutim, pasi janë kontakti i parë në këtë betejë. Mjeku i familjes ka fashën moshore dhe listën e patologjive për t’i çuar për vaksinim” tha Fico.

Gjithsej janë gati 82 mijë të moshuar, ndërsa sot do të vijnë 8 mijë doza, kush do të thirret? “Biseda nuk është hipotetike, gishtat nuk janë njëlloj” tha ajo. Por a do të shkaktojë kjo pakënaqësi? “Ne do u themi kaq; na thoni se nuk kemi bërë përpjekje? Ne nuk u gënjejmë.

Edhe nëse keni shqetësim, kontaktoni mjekun  familjes. Mos gjeni rrugë të tjera, mos paguani për asgjë. Vaksinat janë falas. Nëse ka gjëra  që nuk ju pëlqejnë merrni 08004040 edhe për sqarime të tjera” përfundoi ajo. / db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!