HAGË- Kjo e mërkurë shënon ditën më të rëndësishme të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dalin sot para Dhomave të Specializuara të Kosovës, në seancën ku pritet të shpallet verdikti përfundimtar lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Shqiptarë të shumtë janë mbledhur në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Mes tyre janë dhe familjarë të çlirimtarëve.
Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, u shpreh se beson te drejtësia dhe është shpresëplotë që katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm nga ky proces, i cili ka zgjatur gjashtë vjet.
“Jam krenar për secilin prej tyre. Besoj në drejtësi dhe besoj se ata do të lirohen”, tha ai/abcnews.al

