Sokol Kushta: Nuk më shqetëson rënia, por ringritja e Flamurtarit

schedule16:12 - 10 Janar, 2020

schedule 16:12 - 10 Janar, 2020

Ish futbollisti i Flamurtarit, Sokol Kushta, në një intervistë për ABC News thekson se skuadra vlonjate duhet të kishte një fond emergjence. Ai pranon se problem nuk mbetet rënia nga kategoria, por ringritja e skuadrës

Flamurtari këtë sezon ndodhet në një nga pozitat me të vështira të historisë, ndërsa rrezikon edhe rënien një kategori më poshtë. 10 milion lekë të vjetra ishte dhe buxheti i Bashkisë Vlorë për Flamurtarin, ndërkohë që anëtari i këshillit të kësaj bashkie ,ish-futbollisti i Flamurtarit, Sokol Kushta e komenton këtë fakt.

“Ky 10 milionëshi i vjetër nuk është ndihmë për Flamurtarin. Është ndihmë juridike për procedurat e privatizimit, kur të dalë ligji i sportit”, thotë fillimisht legjenda vlonjate për ABC News, i cili më tej thekson se nuk mund të ketë buxhet shtesë, pasi momentalisht klubi administrohet nga kompanitë turke. Miratimi i një fondi shtesë do të ishte në kundërshtim me ligjin.

Kushta pranon se vetë ai ka kërkuar rreth tre muaj më parë që të kishte një fond emergjence ,por kjo mbetet thjesht në kuadrin e një dëshire nga vete ai për Flamurtarin. “Ky nuk është një buxhet për të ndihmuar Flamurtarin. E kam kërkuar në Këshillin Bashkiak dhe u mirëprit, por e panë nga ana ligjore dhe nuk ishte e mundur. Flamurtari ka një kontratë 2-vjeçare me një sponsor.

Aty thuhet se për anën financiare është përgjegjës sponsori dhe bie ndesh në aspektin ligjor. Ca gjëra bëhen me dëshirë, ca gjëra bëhen me ligje. Unë kam shumë dëshirë, por jo çdo gjë është në dorën time. Pra njerëzit duhet ta kuptojnë dhe të mendojnë si duhet dalë nga kjo situatë”, shton vlonjati.

Kushta  pranon se problem nuk mbetet rënia nga kategoria, por ringritja e Flamurtarit.  Mua më shqetëson rënia e Flamurtarit. Mbase gjërat do rregullohen, por unë nuk e di si do ngrihet. Nuk është turp, nga Kategoria ra Tirana, Vllaznia, Dinamo, kanë rënë të gjithë.

Problemi është si do ringrihet, çfarë plani ka. Nuk është mbledhur ndonjëherë bordi dhe të diskutohet për këtë”, shprehet Kushta. Pas 17 ndeshjeve të para, Flamurtari renditet në vendin e fundit në klasifikim. Vlonjatët kanë grumbulluar vetëm 6 pikë. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!