Snajper rus, silenciator dhe “Uzi” izraelit: Armatimi i avancuar që kapi policia në Tiranë

schedule14:22 - 19 Qershor, 2020

schedule 14:22 - 19 Qershor, 2020

Policia ka publikuar detaje në lidhje me operacionin “Yrsheku” të zhvilluar gjatë ditës së sotme, për të cilin abcnews.al njoftoi që në mëngjes.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar një numër i madh armësh duke filluar nga pistoletat, tek automatikët “kallashnikove”, mitralozët dhe një snajper.

Uzi

Bëhet fjalë për 15 armë zjarri si edhe një sasi të madhe municionesh që u sekuestruan në shtëpinë e Gëzim Harokut.

Lexo edhe: EMRI/ Policia i kapi arsenal armësh dhe një snajper, arrestohet tiranasi
Gezim Haroku

“Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu) , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë”, bën me dije policia.

Snajperi “Dragunov”

Abcnews.al mëson se snajperi është rus i markës “Dragunov”, i cili njihet për një precizion të lartë. Krahas të tjerave, grupit kriminal i është hapur edhe një armë automatike “Uzi”, prodhim izraelit me silenciator, i përdorur shpesh për eliminime mafioze.

Njoftimi i plotë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Yrsheku”.

Zbardhet ngjarja e ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6

Gjatë operacionit u zbulua një banesë që përdorej si bazë nga një grup i strukturuar kriminal.

Gjenden në banesë dhe sekuestrohen arsenal armësh zjarri, municione luftarake, lëndë eksplozive dhe granata.

Vihet në pranga pronari i banesës, njëherësh autori i ngjarjes dhe pjesëtari i një grupi të strukturuar kriminal.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, në fshatin Yrshek, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve intensive u siguruan informacione në rrugë operative se armët e përdorura dhe motomjeti me të cilin ishin larguar autorët ndodheshin në banesën e shtetasit G. H.

Po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi E. M.

Gjithashtu, po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se banesa e shtetasit G. H. mund të përdorej si bazë për të fshehur armët dhe municionet luftarake të grupit kriminal.

Bazuar në këto informacione, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacioni “Yrsheku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi G. H. dhe u shpall në kërkim shtetasi E. M.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit G. H, shërbimet e Policisë zbuluan një arsenal armesh dhe municionesh që përdoreshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe shtetasi G. H.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu) , 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!