Nga Klodiana Lala
Çfarë ndodh pas një aksidenti në galeritë e Bulqizës? Cili është roli i institucioneve të ngarkuara për të kontrolluar kompanitë që menaxhojnë minierat, çfarë i garanton shteti një minatori dhe çfarë ndodh kur një minator humb jetën në galeri?!… Cili është roli i prokurorisë dhe si ia dalin të fajësojnë gjithmonë viktimën dhe jo fajtorin për qindra minatorë që mbetën të vdekur galerive për 30 vjet. “PAKTI ME VDEKJEN”, historitë e trishta të nënave shamizeza të Bulqizës. Një dokumentar i realizuar nga Klodiana Lala dhe Investigativ Network Albania (INA), mbështetur nga Ambasada Amerikane.
………………………
Në Bulqizë, petkat e zisë për gra si Selvija apo Bakije Dalipi janë bërë gati po aq të zakonshme sa veshja e minatorit. Historitë e nënave për gëzimin e lindjes së djemve u kanë lënë vend rrëfimeve të vdekjeve të tyre.
“Me 17 dhjetor është vrarë. Është vrarë në galerinë e Faik Dedjas, ishte ora 12.00. Më erdhi një kushëri dhe kërkoi Kurtin. Më tha që Bajrami është vrarë nga këmbët e duhet ta çojmë në Tiranë. I thashë që paska vdekur. Kur erdhi një komshi dhe ma tha të rrosh vetë për Bajramin. Kaq dimë. As bëmë ankesë”.
Lexo edhe: VETTING-Pakti me vdekjen
Është ky fati i shumë nënave të këtij vendi, që prej galerisë ushqejnë fëmijët e tyre e më tej, aty i humbasin. “Kam frikë, s’më zë gjumi i natës. Iku një, të ikin dhe ato të katërt” tregon ajo.
Bakija ka lindur 14 fëmijë. Tre nuk jetojnë më, ndër ta edhe djali që humbi jetën në galeri. Bashkë me 11 fëmijët e tjerë ajo vuan varfërinë, ndërsa institucionet shtetërore u kanë kthyer shpinën. “Unë kam bërë 14 kalamaj, mua më takon një pallat që të ma japë qeveria, Edi Rama. Por nuk të jep kush. 100 mijë pension marr” thotë ajo.
Në minierën ku humbi jetën i biri Bajrami, vazhdojnë të punojnë edhe katër djemtë e tjerë të Bakijes. Po në të njëjtat thellësi që humbën vëllanë, ata janë të detyruar të kërkojnë arin e minierave që pasuron të pasurit e flijon minatorët.
Historiku i vdekjes së minatorëve në thellësitë e galerive i tmerron banorët e kësaj ane. Djemtë e burrat e Bulqizës janë të detyruar të jetojnë me hijen e vdekjes. Janë të detyruar të bashkëjetojnë me zemërimin e galerisë ndaj etjes së pafrenuar për arin e nëntokës, që herë pas here mund të vjellë masiv kromi mbi punonjësit e pambrojtur të nëntokës, (lexo ketu emisionin e plote). db/ Abcnews.al