VETTING-Pakti me vdekjen

schedule20:44 - 22 Qershor, 2021

schedule 20:44 - 22 Qershor, 2021

Nga Klodiana Lala

Çfarë ndodh pas një aksidenti në galeritë e Bulqizës? Cili është roli i institucioneve të ngarkuara për të kontrolluar kompanitë që menaxhojnë minierat, çfarë i garanton shteti një minatori dhe çfarë ndodh kur një minator humb jetën në galeri?!… Cili është roli i prokurorisë dhe si ia dalin të fajësojnë gjithmonë viktimën dhe jo fajtorin për qindra minatorë që mbetën të vdekur galerive për 30 vjet. “PAKTI ME VDEKJEN”, historitë e trishta të nënave shamizeza të Bulqizës. Një dokumentar i realizuar nga Klodiana Lala dhe Investigativ Network Albania (INA), mbështetur nga Ambasada Amerikane.

…………………………….

Sapo hedh këmbën në galeritë e kromit, të kaplon një ndjenjë e pashpjegueshme frike. Një lëmsh të mblidhet në grykë dhe të ngjan, sikur fryma të pakësohet. Sytë mezi të mësohen me errësirën….

Përpara se të hysh në thellësitë e nëntokës, të duhet të firmosësh një dokument, si për të të kujtuar se çdo moment je i kërcënuar nga rreziku. Është njësoj, sikur të bësh pakt me vdekjen….

Teksa minutat kalojnë, këto ndjesi dhe frikërat nisin të largohen.

Na u deshën mbase 15 minuta, për të mbërritur në frontin e parë të punës…

Inxhinieri na tregon disa nga momentet më të vështira të ditës së një minatori. Dalim nga galeria duke marrë me vete trishtimin që vjen nga nëntoka, ndjesinë e klithmave prej andej që na kujton dhimbjen e nënave shamizeza të Bulqizës. Ditët e një nëne bulqizake janë plot frikë, dhimbje e trishtim mes varfërisë së tejskajshme. Selvie Shabanai tregon fatet e djemve të saj. E nis me frikën për ditët e tyre në galeri qysh në moshë të mitur.

“Hynte Nardi flisja në mëngjes, kur hynte, dhe pastaj në 12 -13 kur dilte. Punonin në të njëjtën galeri. Leonardi turn i parë, Viktori turn i dytë. Të njëjtat rroba, i hiqte njëri i vishte tjetri” tregon ajo. Çdo paradite në shkollë, Viktori shfletonte libra me dëshirë, sepse donte të ndiqte pasionet e tij, por pasdite i duhej të thyente gurë e të çante shkëmbin. Ishte si një dënim i pashmangshëm për dy vite rresht në galeri, si kusht për t’i shpëtuar asaj përgjithmonë.

“Se punuan 2 vite bashkë para …. galeria i priste. Nuk kishin zanat tjetër. Ky i vogli mësonte fort. Po të mos punonte në galeri, ai s’mund të merrte asnjë shkollë, se baba i vet ishte me pension….I vogli vriste gishtat e këmbëve e të duarve, natën për natë vinte duke qarë, i thosha mos shko, se me frikë e kisha, e mbante ai i madhi”.

Ndërsa vëllai i madh Leonardi, përpiqej të mësonte Viktorin si të tregonte kujdes ndaj kurtheve të minierës, ai vetë s’do të mund t’i shpëtonte fatit tragjik. “Atë ditë shkoi në mëngjes, ditën që vra Leonardi. Atë ditë nuk më mori në tel. Më merrte në mëngjes më thoshte hyra. Më erdhi një shoqe. Më thanë ka vdekur dhëndri… S’më thanë që është vrarë Leonardi. Komshia më tha është vrarë te puna” tregon ajo.

Selvia do të përballej kështu me lajmin tragjik, me humbjen e fëmijës, që çdo ditë ishte lutur të mos ndodhë. Por galeria, kjo e keqe e domosdoshme për familjet e Bulqizës, e kishte marrë Leonardin, si “kurbanin” e radhës.

“Kaq është jeta jonë, pa galeri ne s’jemi askund. Në Bulqizë është vetëm galeria. Kurbetet janë mbyll. Për ne ajo rrugë është. S’ka më rrugë. Si jetohet të të vritet fëmija? Ti ke fëmijë vetë. Janë vra e kanë fut djemtë e tjerë, këtu s’ke ku të jetosh. Vetëm galeria te ne, s’ka asnjë shpresë. I vogli, pati punuar në ndërtim, ishin në Greqi. Si u martua erdhi poshtë, lindi vajza. Punoj 1 vit në ndërtim, pastaj filloi punë në galeri. ….Puna në minierë tmerr”.

Vitet kalojnë e lënë mbi Selvijen grua, nënë, gjyshe, shenjat e pashërueshme të zisë. “Nuk e shoh dot me sy galerinë. Kam frikë ta shoh me sy. S’kisha ç’bëja, u thosha çunave do rrija pa bukë, vetëm mos shkonin. Ai u bë më fëmijë dhe donte me punuar. Çunat janë të detyruar të shkojnë, me u vra dhe 5….

Gjysmën e jetës e kemi merak, se do vriten. Mendtë tona janë të forta, që s’na lë mendja. Jetojmë me strese, se janë në galeri. Të vritet fëmija, do jetosh se s’ke ç’bën, i kam rritur pa bukë”.

Në Bulqizë, petkat e zisë për gra si Selvija apo Bakije Dalipi janë bërë gati po aq të zakonshme sa veshja e minatorit. Historitë e nënave për gëzimin e lindjes së djemve u kanë lënë vend rrëfimeve të vdekjeve të tyre.

“Me 17 dhjetor është vrarë. Është vrarë në galerinë e Faik Dedja, ishte ora 12.00. Më erdhi një kushëri dhe kërkoi Kurtin. Më tha që Bajrami është vrarë nga këmbët e duhet ta çojmë në Tiranë. I thashë që paska vdekur. Kur erdhi një komshi dhe ma tha të rrosh vetë për Bajramin. Kaq dimë. As bëmë ankesë.

Është ky fati i shumë nënave të këtij vendi, që prej galerisë ushqejnë fëmijët e tyre e më tej, aty i humbasin…Kam frikë, s’më zë gjumi i natës. Iku një, të ikin dhe ato të katërt” tregon ajo.

Bakija ka lindur 14 fëmijë. Tre nuk jetojnë më, ndër ta edhe djali që humbi jetën në galeri. Bashkë me 11 fëmijët e tjerë ajo vuan varfërinë, ndërsa institucionet shtetërore u kanë kthyer shpinën. Në minierën ku humbi jetën i biri Bajrami, vazhdojnë të punojnë edhe katër djemtë e tjerë të Bakijes. Po në të njëjtat thellësi që humbën vëllanë, ata janë të detyruar të kërkojnë arin e minierave që pasuron të pasurit e flijon minatorët.

Historiku i vdekjes së minatorëve në thellësitë e galerive i tmerron banorët e kësaj ane. Djemtë e burrat e Bulqizës janë të detyruar të jetojnë me hijen e vdekjes. Janë të detyruar të bashkëjetojnë me zemërimin e galerisë ndaj etjes së pafrenuar për arin e nëntokës, që herë pas here mund të vjellë masiv kromi mbi punonjësit e pambrojtur të nëntokës. Pak muaj më parë, më 21 shkurt 2021, minator Fiqiri Karaj mbeti pa jetë nën masivin e rëndë të dheut. E ëma e tij, Thëllëza Karaj i ka ende te njoma lotët për birin e saj. Nuk do ta harrojë kurrë përshëndetjen e fundit me të birin….

“Mamë ika, I thosha mirë ardhsh bir. Kisha frikë mjaft,. Si ne galeri. Për copën e bukës. S’kemi asgjë jemi përtokë. Kujdes o bir, se galeria të merr. Kismet o mamë. Kujdes dua dhe unë, po sa të jetë kismet. Është shemb një katror e ka zënë. Ishte nxirë komplet. Jo shemben gurët, shemben katroret, qe e zuri djali e mbyti. Shkoi në mëngjes, në orën 9 u vra. Erdhi xhenaze. Ishte i urtë, s’prishte fjalë me askënd. Punëtor te zoti” tregoi ajo.

Vdekja prej galerisë vijon ta kërcënojë Thëllëzën edhe për djalin tjetër, që prej varfërisë ekstreme detyrohet ta përcjellë për të fituar bukën po në minierën që i mori njërin djalë. “Çfarë pune bënte në galeri…? Vagonist… I shkreti. Djali tjetër shkon në galeri? Po shkon. Cfarë të bëjë. Duan fëmijët të hanë. Ka 3 fëmijë. Lutem mjaft po cfarë të bëj. Zoti e ka në dorë. Nuk ja kam kërkuar se nuk kam ku ta coj. Kam frikë sa të duash, shkon në mëngjes e s’vjen në darkë. Kam frikë sa të duash. Po skam ku ta çoj” tha ajo.

Bashkëshortja e të ndjerit, Fatbardha, rrëfen me dhimbje takimin e fundit të Fiqiriut me fëmijët.

“Shnet oj gru, mirë ju gjetsha, shnet oj Bardha. Gjë tjetër s’na tha”.

I takonte fëmijët në mëngjes?

“Po. I takonte se ishte me frikë galeria”.

I pate thënë ndonjëherë të mos punonte atje?

“I pata thënë gjithmonë, po me thoshte ku të shkoj. Po te ikte jashtë shtetit, thoshte pa fëmijët nuk rri dot atje. O te jemi gjithë në një vend, ose unë nuk shkoj. Se ka pas punuar gjatë, atje në Greqi. Qe para se u fejuam, u fejuam, u martuam, u bëmë me dy fëmijë, ai ka pas punuar në Greqi”.

Kush ta dha lajmin?

“Nipi. E mora në telefon, e pyeta ku jeni? Më tha jena tu ardh prej ke puna. I thashë pse kaq herët? I thashë ku është daja? Se ka pas punuar dhe nipi aty. Më tha daja është vra. Vajtëm pastaj te spitali, sa e kishin sjellë aty”.

E mbetur e ve në një moshë re te, Fatbardhës tashmë i duhet të kujdeset e vetme për 3 vajzat e saj, njëra prej të cilave vuan nga probleme kronike në zemër. Gruaja bën thirrje që institucionet të kthejnë sytë drejt saj.

Miniera e Bulqizës, ku shkruhen këto histori tragjike është kthyer në një vatër aksidentesh. “Minatori e ka varrin mbi kokë”.

Kurt Dalipi ka punuar për 17 vjet në minierë, ku ka humbur shumë prej shokëve të tij minatorë në galeri.

“Plasi galeria dhe mbeti brenda” tha ai.

Është i detyruar t’i zgjasë vitet e punës në atë vend ku humbi edhe djalin e tij, Bajramin. Është i detyruar të kërkojë mineralet bashkë me djemtë e tjerë, e me lutjet që të mos iu ndodhë ndonjë aksident

“Frikë kam sa të duash, s’kemi si të manovrojmë. Si do manovrojmë pa punu. …..të katër në minierë punojnë…Nuk është dënu, jo nuk është dënuar asnjë’ tha ai.

Minator Fatmir Shabani, ka punuar për 30 vite në galeri. Në errësirën e nëntokës ka parë të rrënohet galeria e brenda saj të mbeten shokët e skuadrës së tij. “Kam nxjerrë tetë veta”.

Çdo aksident në labirintet e nëntokës, e shënjon kujtesën e një minatori, por për drejtuesit e minierave, ngjarja tragjike harrohet menjëherë. “Sa nxirret viktima, puna fillon menjëherë”.

Humbja e të birit, pikërisht në një prej galerive ku kishte punuar edhe vetë, është padyshim ngjarja më tragjike e jetës së tij. “Shkova e pashë … në spital”.

Isuf Balla, ka shkelur për herë të parë në galeri në vitin 1985.Ai punon si vagonist në thellësitë e nëntokës. Thotë se puna në galeri është e vështirë dhe jeta është në rrezik çdo sekondë. Ai e di mirë se institucionet shtetërore nuk janë në krahun e tij e të bashkëvuajtëve minatorë.

“Bëjmë greva, na shtypin. Vijnë 200 policë me shtyp ne si minatorë. Shteti ka dorë se vjen me ato.

Ka firma private që si paguajnë punëtorët prej 6 muajsh”. Nuk bëhet fjalë për status të minatorit, një kërkesë e vazhdueshme e njerëzve që rropaten nëntokë për të nxjerrë prej andej mineral. Rroga bazë e tyre është minimale, ndërsa orët shtesë iu tatohen. Asnjë trajtim specifik për shkak të profesionit të vështirë.

“Rroga ime ishte për të ngrënë bukë. Asnjëherë skam marrë shpërblim si minatori vjetër”. Përgjatë 36 vitesh punë në minierë, thotë se ka qëlluar të jetë aty për të nxjerrë nga galeria rreth 100 minatorë të vdekur.

“Vetëm vitet e fundit kanë vdek 27…”.Ai rrëfen se si sillen bosët e kromit me viktimat e galerive…

Vriten minatorët dhe i fshehin…”.

Statistikat e vdekjes janë tragjike. Drejtuesi i Inspektoratit të punës, Ardit Kaja, thotë se minierat zënë mbi 19% të totalit të aksidenteve në punë. Ai na njeh me shifrat zyrtare te aksidenteve në miniera.

Mbivendosja e lejeve për shfrytëzimin e mineraleve ka qenë një prej problematikave që ka ndikuar edhe në numrin e aksidenteve në galeri. Kaja thotë se ky problem është zgjidhur vitet e fundit, ndonëse aksidentet në miniera vazhdojnë të jenë të shpeshta.

Bulqiza ka pasur mbivendosje të koordinatave… ka pas ndërthurje të lejeve minerare me njëra-tjetrën

Për shkak të rregullimit të politikave qeverisëse për zgjidhjen e problemit të mbivendosjes së lejeve minerare.

Të gjitha aksidentet janë të detyruara që të deklarohen dhe më pas hetohen nga AKSEM. Drejtuesi i AKSEM, Rrapush Tola, sqaron se institucioni i tij kontrollon rregullisht kushtet në miniera. Ai thotë se për shkak të kushteve teknike janë hequr disa leje minerare.

Kreu i AKSEM thotë se është hetuar çdo rast aksidenti dhe materialet i janë kaluar prokurorisë dhe se është detyrë e institucioneve të drejtësisë të thonë fjalën e fundit. Megjithatë, gratë e Bulqizës të veshura me të zeza besojnë se askush nuk përgjigjet për jetët e humbura të bijve të tyre. Askush nuk ka bërë një ditë burg për aksidentet e shpeshta në miniera.

“Na thanë janë arrestuar dy vetë. i liruan. Nuk na mori ne njeri në pyetje. Thuaj s’ka shtet. Pikë. Si e zeza jetojnë. Për copën e bukës” tha djali i vëllait, Fiqiri Karaj, që u vra në galeri.

“S’ka asnjë dënim. Kujt t’ja kërkojmë drejtësi, s’ka drejtësi për ne. Drejtësia është për ato që kanë lekë shumë. Për çunat tonë s’ka drejtësi” tha Selvie Shabani.

“Drejtësinë e dua. Se si ka qenë puna unë duhet ta di. Aty ka qenë nipi dhe dhëndri. Punojnë akoma aty” tha Fatbardha Karaj.

Bilanci tragjik i të plagosurve dhe viktimave në minierë nuk është shoqëruar kurrë me hetime të plota nga institucionet e drejtësisë. Dy prokurorë që kishin punuar në zonën e Dibrës, u shkarkuan nga detyra gjatë procesit të vettingut. Arsyetimi më i rëndësishëm për përjashtimin nga radhët e drejtësisë ishte edhe konstatimi se këta njerëz të sistemit të drejtësisë kishin favorizuar subjektet minerare dhe ngarkonin me faj viktimat.

Agjencia INA iu drejtua me kërkesë për informacion prokurorisë së Dibër, por nuk mori përgjigje prej saj.

Referuar të dhënave zyrtare të gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër, marrë përmes një kërkese për të drejtë informimi, rezulton se dënimet për rastet e aksidenteve në miniera janë të papërfillshme.

Në 2018, prokuroria e Dibrës ka paraqitur në gjykatë, 17 kërkesa për pushimin e çështjeve penale, që lidhen me shkeljen e rregullave të sigurisë në punë në miniera, ndërsa vetëm në një rast dosja është dërguar për gjykim. Në vitin 2019, me kërkesë të prokurorisë gjykata ka firmosur pushimin për 5 çështje, ndërsa në vitin 2020 për 3 të tilla.  Përballë indiferencës së shtetit, duket se janë dorëzuar edhe familjarët e viktimave, pasi janë të paktë ata që ankimojnë vendimet e prokurorisë, apo ta ndjekin çështjen në instancat më të larta.

GJYKATA DIBËR – “Gjatë periudhës janar 2011 deri në prill 2021, pasi bëmë verifikimet e nevojshme në regjistrat e vecantë penalë, ku regjistrohen ndër të tjera edhe kërkesa apo ankime për rastet e “vendimeve të mos fillimit të çështjes penale” apo të “pushimit të çështjeve penale” dhe që kanë të bëjnë me rastin e minierave të Bulqizës, rezulton se është ankimuar vetëm një vendim i ish prokurorit Tom Dedaj për “pushimin e çështjes penale” nr.104 viti 2012, datë 12.05.2014 nga shtetasi Ervin Shehu”.

Pavarësisht indiferencës së institucioneve shtetërore dhe rolit të munguar të drejtësisë, bulqizakët nuk kanë asnjë shpëtim tjetër përveç galerisë. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, AKBN, gjatë vitit 2018 në galeritë e kromit punonin 3170 punonjës, ose rreth 1 në çdo 10 banorë të Bulqizës sipas censusit të vitit 2011.

Kjo është pjesa dërrmuese e krahut të punës në Bulqizë. Galeria është i vetmi burim jetese pavarësisht riskut shumë të lartë për jetën. Institucionet e ngarkuara për të mbrojtur jetën e minatorëve do të vazhdojnë të heshtin. Institucionet e drejtësisë do të fajësojnë viktimat, ndërsa djemtë e burrat e Bulqizës nuk kanë asnjë rrugë tjetër veçse të vijojnë udhëtimin e tyre të përditshëm drejt galerive të vdekjes.

/ Abcnews.al