Sllovenia voton sot për të rinovuar parlamentin. Në zgjedhjet e parakohshme shikohet favorite partia opozitare e ish-kryeministrit Jansa, i cili akuzohet për politika të rrepta kundër emigracionit.
Në Slloveni sot votohet për zgjedhjet e parakohëshme politike, të cilat shikojnë favoritë, partinë demokratike sllovene “SDS” të ish kryeministrit Janez Jansa, aktualisht në opozitë. Vendi shkoi në votimin e parakohshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Miro Cerar për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila anulloi referendumin për projektin e ndërtimit të një hekurudhe.
Sondazhet e fundit tregojnë se Partia Demokrate është favorite për fitimin e zgjedhjeve me 25% të preferencave, pasuar nga lista qytetare e Marian Sarec në 13% dhe Partia Social Demokratike me 12%. Por shumë ishin ende të pavendosur. Kundërshtarët e Jansa akuzojnë ish-kryeministrin për qëndrime anti-emigrante afër atyre të kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili në mënyrë indirekte financoi fushatën e konservatorëve përmes mjediseve të afërta me të.
Temat kryesore të fushatës ishin emigracioni, privatizimi i kompanive shtetërore, reforma e shëndetit publik dhe rritja e pensioneve. Mbi 1.7 milionë votues do të jenë në gjendje të zgjedhin mes 1,636 kandidatëve të përfaqësuar në 25 lista. Nga 90 deputetë në parlamentin e Lubjanës, dy përfaqësojnë komunitetet kombëtare italiane dhe hungareze. Vendvotimet do të mbeten të hapura deri në orën 19:00 dhe rezultatet e para zyrtare do të bëhen brenda disa orëve./abcnews.al