Sllovaki, qytetarët ngrihen kundër qeverisë

schedule22:43 - 9 Mars, 2018

schedule 22:43 - 9 Mars, 2018

Në qytete të ndryshme të Sllovakisë janë mbajtur këtë të premte manifestime kundër qeverisë dhe korrupsionit. Pas vrasjes së gazetarit Jan Kuçiak, që denonconte lidhjet e qeverisë me mafian, qytetarët kërkuan largimin e krerëve të shtetit.

Disa dhjetëra mijëra qytetarë sllovakë demonstruan mbrëmjen e së premtes në mbarë vendin kundër korrupsionit dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Robert Fico. Sipas së përditshmes SME, në Bratislavë u mblodhën rreth 40 mijë protestues, duke e kthyer në tubimin më të madh popullor në vend që nga rënia e komunizmit në Çekosllovaki, në vitin 1989.

Nën parullën “Për një Sllovaki të ndershme”, manifestimi u organizua pas vrasjes së gazetarit investigativ, Jan Kuçiak, muajin e kaluar, ngjarje që shkaktoi reagime si në Sllovaki edhe jashtë saj. Gazetari, i vrarë me armë zjarrë së bashku me të fejuarën e tij, po përgatiste një artikull mbi lidhjet mes politikanëve sllovakë dhe biznesmenëve italianë të dyshuar se ishin të lidhur me mafian kalabreze, Ndrangheta.

Demonstruesit ngritën parulla e banderola me shprehjet “Ju lutem largohuni”, “Fico fle me mafian”, “Unë jam i dëshpëruar”, apo “bastardë”. Tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, ndryshe nga sa druhej kryeministri Fico, se mund të kalohej në dhunë. Manifestime lidhur me të njëjtën ngjarje u zhvilluan edhe në Çekinë fqinje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!