Skënderbeu në vendin e 136-të mes 450 klubeve në Europë

schedule14:22 - 25 Nëntor, 2017

schedule 14:22 - 25 Nëntor, 2017

Skënderbeu arrin renditjen rekord në klasifikimin e UEFA-s për klubet në Europë. Fitorja ndaj Dinamos së Kievit shton të ardhurat financiare dhe vlerën e skuadrës në tregun e futbollit

Udhëtimi në kontinent po vazhdon gjatë.

Skënderbeu gjithnjë e më shumë ngjan me një skuadër europiane, duke arritur edhe nivele që nuk ishin menduar më parë.

Numri 1 I Superligës arriti në vendin e 136-të në renditjen e UEFA-s për klubet pjesëmarrëse në kupat e Europës në 5 vitet e fundit, një pozicion shumë serioz, kur mendon se klasifikimi ka gjithsej 450 klube.

Ishte fitorja 3-2 ndaj Dinamos së Kievit që solli rritjen e fundit progresive, ndërsa fitimi I pozicioneve ka qenë I vazhdueshëm, hap pas hapi.

Jo më kot, skuadra e trajnerit Ilir Daja kaloi 4 ture eleminatore, duke skualifikuar edhe superfuqinë kroate, Dinamo Zagreb në plej of, ndërsa faza e grupeve, gjithashtu, nuk është aspak negative deri tani.

Sezoni në vazhdim mund të veçohet si I jashtëzakonshëm, pasi Skënderbeu ndodhet në vendin e 65-të mes rreth 240 ekipeve në kompeticionet kontinentale, si Champions dhe Europa League.

Suksesi sportiv shoqërohet padyshim me atë financiar dhe klubi I presidentit Ardian Takaj ka arkëtuar këtë edicion 3 milionë e 875 mijë euro.

Suksesi i korçarëve ka bërë që edhe Superliga shqiptare të ngjitet, dhe të jetë tani në vendin e 34-të mes 55 kampionateve të kontinentit.

Nuk mund të mungonte edhe rritja e vlerës së skuadrës së Skënderbeut, që arrin në 7.5 milionë euro.

Në renditjen e vlerës së klubeve të Superligës, korçarët lënë pas Partizanin që kap shifrën gati 6 milionë euro.

Lojtari me vlerën më të lartë të kartonit të korçarëve dhe të kampionatit, sipas faqes së specializuar gjermane, Transfermarkt, është Sabien Lilaj me 625 mijë euro.

Takaj mendon se sukseset e ekipit të tij do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa lojtarët janë mësuar të luajnë me më të mirët.

Kjo është hera e dytë në 3 vitet e fundit që Skënderbeu arrin në fazën e grupeve, ndërsa renditja europiane dhe vlera e skuadrës do të kishte qenë edhe më e madhe nëse nuk do të kishte ndodhur pezullimi I edicionit të kaluar./abcnews.al