Skënderbeu mund të përjashtohet nga Kupat e Europës

schedule15:44 - 15 Shkurt, 2018

schedule 15:44 - 15 Shkurt, 2018

Skënderbeu rrezikon një dënim të rëndë në Kupat e Europës në futboll. Inspektorë të UEFA-s kanë kërkuar një përjashtim afatgjatë, ndërsa pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës.

Projekti më i rëndësishëm në futbollin shqiptar mund të shkatërrohet.

Skënderbeu rrezikon përjashtimin 10-vjeçar nga Kupat e Europës si dhe një gjobë prej 1 milionë eurosh.

Kjo është kërkesa e inspektorëve të UEFA-s drejtuar komisioneve të disiplinës në këtë institucion.

Gjithçka mbi bazën e dyshimeve dhe akuzave të mëparshme të bëra ndaj klubit shqiptar për trukime të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve dhe në Ligën e Europës në sezonin 2015-2016.

Kërkesa e inspektorëve të etikës dhe disiplinës besohet se është bërë në datët 7 Shkurt, pikërisht në ditën e zgjedhjeve për presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Gjithsesi, burime pranë Federatës bëjnë me dijë se kërkesa është bërë që në muajin Dhjetor të vitit të kaluar.

Vetë UEFA ka lajmëruar klubin korçar dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, ndërsa ende nuk dihet se kur do të mblidhet Komisioni i Disiplinës për të marrë vendimin.

Kryesuesja e Superligës, në rast dënimi, ka të drejtën e ankimimit, që mund të bëhet fillimisht në Komisionin e Etikës në UEFA, dhe pastaj në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës.

Skënderbeu u përjashtua fillimisht nga UEFA për të mos marrë pjesë sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve, vendim që e konfirmoi edhe KAS-i në Zvicër.

Sipas burimeve të mësipërme në Federatë, ky përjashtim ishte thjesht një vendim paraprak, ndërsa vazhdonin hetimet.

Skuadra shqiptare u lejua që të merrte pjesë në Ligën e Europës këtë sezon duke arritur rezultate të shkëlqyera e duke u kualifikuar për herë të dytë në fazën e grupeve.

Gjithsesi, Skënderbeu ka pasur edhe probleme të tjera.

Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit mori vendim për t’i hequr korçarëve titullin kampion të vitit 2016, titull që ende ka mbetur vakant.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka zhvilluar hetime duke dyshuar për trukime ndeshjesh në kampionatin shqiptar, ndërsa korçarët kanë akuzuar se janë disa nga skuadrat e tjera që dyshohen për trukime./abcnews.al