Skandal në Tiranë/ Policja ndihmon vjehrrën e kolegut, tutore prostitutash: Po vijnë në lokal

schedule12:10 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 12:10 - 25 Dhjetor, 2021

Skandal në Tiranë! Policët, të cilët duhet të jenë të parët që luftojnë prostitucionin, duket se po i dalin në mbrojtje një aktitiviteti të paligjshëm, duke i “mbrojtur krahët”.

Rasti më i fundit ka ndodhur në një lokal në Tiranë, ku një efektive policie ka ndihmuar vjehrrën e kolegut të saj nën komisar që ta ushtrojë aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj “pa ferrrë në këmbë”.

SHÇBA ka pezulluar nga detyra dy efektivët e përfshirë në këtë skemë. Bëhet fjalë për Nën Komisarin me iniciale F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe inspektoren O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

Si u zbulua skandali?

SHÇBA kishte vënë nën monitorim nën komisarin 29 vjeçar dhe rezultoi se ky i fundit duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh. Në vijim të hetimeve doli në pah se ai kishte bërë një shkelje akoma më të rëndë. Ndihmonte vjehrrën që të ushtronte aktivitetin e prostitucionit në lokalin e saj. Në këtë skemë nga hetimet e SHÇBA rezultoi se ishte përfshirë edhe kolegia e tij 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandim. Kjo e fundit njoftonte vjehrrën e kolegut për aksionet që organizonte policia, duke u bërë pjesë e shkeljes. Në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe vjehrra 53 vjeçare e policit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën 2 armë gjahu gjysëmautomatike dhe fishekë pa leje. Në interes të thellimit të hetimeve të përfshirëve në këtë shkelje u janë sekuestruar 4 telefona celularë.

Detaje nga njoftimi i SHÇBA:

SHÇBA Tiranë ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësit e policisë:

– N/Komisar F.M., 29 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin e Hetimit të Aksidenteve Rrugore në Komisariatin e Policisë të Qarkullimit Rrugor Tiranë. – Inspektore O.K., 27 vjeçe, me detyrë Operatore e Kamerave në Sektorin e Sallës së Komandimit në D.V.P. Tiranë.

Ekzekutimi i vendimit të Gjykatës u krye në funksion të procedimit penal Nr. 5023, të kryer nga SHÇBA Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë Tiranë, me hetime proaktive disa mujore, për akuzat “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i prostitucionit”. Në zbatim të vendimit datë 23.12.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të këtij hetimi u procedua penalisht edhe shtetasja S.K, 53 vjeçe, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj në qytetin e Memaliajt, u gjetën:

– 2 armë gjahu gjysëmautomatike; – sasi fishekësh, që mbaheshin pa leje.

Gjithashtu, shtetasve të mësipërm iu sekuestruan edhe 4 telefona celularë në interes të thellimit të hetimeve për veprat penale të sipërcituara. Nga hetimet e SHÇBA Tiranë ka rezultuar se oficeri i policisë F.M., duke shpërdoruar detyrën, ndryshonte përgjegjësitë e palëve në rast hetimi aksidentesh.  Gjithashtu, dyshohet se në lokalin e vjehrrës së tij, shtetases S.K. ushtrohej prostitucion, por oficerja e Sallës Operative informonte 53-vjeçaren për aksionet që organizonte Policia.  Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90. be.k/abcnews.al