S’ka dakordësi në PD, Bylykbashi dorëzon tjetër draft për territorialen: Propozuam 97 bashki

schedule14:23 - 25 Tetor, 2022

schedule 14:23 - 25 Tetor, 2022

Partia Demokratike është në negociata por ende nuk ka një klimë bashkëpunimi. Oerd Bylykbashi dorëzoi një tjetër draft për reformën territoriale, pas atij që u dorëzua në Komisionin e Posaçëm në Kuvend nga deputetja demokrate, Dhurata Çupi.

Por për Bylykbashin, rruga për t’i bashkuar draftet nuk ka përfunduar. Bylykbashi komentoi edhe bashkimin e votave mes deputetëve të drejtuar nga Alibeaj me Partinë Socialiste për hapjen e dosjeve.

Tha se ka një vijë të kuqe bashkëpunimi me Alibeajn.
“Propozimi ynë do të ndjekë rrugën legjislative, kërkon së paku 84 vota. Ndarja të jetë me 97 bashki. Kush do që nuk e mbështete këtë ndarje nuk ka në interes të drejtat e shqiptareve. Reforma e 2014 ishte dështim. Ekziston një draft me 94 bashki. Kërkojmë lustracion pas hapjes së dosjeve. Reforma e 2014 ka provuar se është dështim lapidar me kosto të madhe për zhvillimin e bashkive dhe komuniteteve, faktor i shpopullimit. Jemi përpjekur të marrim interesat më të mira. Të zgjedhurit të jenë pranë zgjedhësve, pushteti vendor të jetë efikas. Propozimi është që zgjedhjet e ardhshme të bëhen në bazën e kësaj ndarje me 97 bashki. Numri i bashkive që propozojmë është ai që i jep hapësirën më të madhe komuniteteve lokale. S’ka rëndësi çfarë mendon qeveria, por çfarë duan njerëzit atje poshtë. Reforma e vitit 2014 ka provuar në të gjithë aspektet e saj që të jetë një dështim lapidar me kosto të madhe. Njerëzit janë larguar se nuk ka më shërbime. Propozimi ynë do të ndjekë rrugën legjislative, kërkon 84 vota. Në këtë moment propozojmë 97 bashki dhe kushdo që nuk e mbështet këtë ndarje në parlament, nuk ka interesat e qytetarëve”, tha Bylykbashi.

Partia Demokratike vijon të jetë në negociata përmes dy të mandatuarve Gazment Bardhi dhe Edi Paloka, në funksion të gjetjes së një dakordësie për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore.

/abcnews.al/