Situata nga koronavirusi, Mesila Doda: Duhen testime masive, shifrat të mos mbahen sekret

schedule12:35 - 3 Prill, 2020

schedule 12:35 - 3 Prill, 2020

Në një lidhje direkte për Abc News, Mesila Doda, Sekretare e Përgjitshme e PDIU foli për situatën e krijuar në vend nga koronavirusi. Doda bëri thirrje edhe njëherë se duhet të aplikohet testimi në masë i popullsisë.

“Nuk është situatë e thjeshtë për askënd. Gjendja ime është ajo si e çdo shqiptari tjetër, por edhe një nga arsyet janë përmasat reale. Pse po mbahet e gjitha a thua se është një sekret shtetëror. PDIU është nga të parat që ka deklaruar testim, testim. Ka një tendencë për ta mbajtur të mbërthyer a thua se ka ndonjë sekret shtetëror. Gjëja më e shpejtë që do të duhet të bëhet është që të ketë një testim masiv”, tha Doda.

Lidhur me masat që janë marrë, ajo tha se do të ishte më mirë një paketë ekonomike, pasi nuk mjafton një paketë sociale.

“Janë masa mbijetese. Por unë mendoj se duhet të ketë një paketë ekonomike siç kanë bërë vendet e tjera. Ajo që më shqetësoi ishte akti i djeshëm për të shtyrë qiratë. Nuk ka asnjë arsye që të ndërhyjë shteti. Ky personi para pak ditësh tha se do paguani edhe TVSH, në një industrinë që nuk funksionon. Është një nga marrëzitë që kam dëgjuar. Hiqi pasuritë oligarkëve dhe jepua njerëzve në nevojë. Ne kemi një nga vdekshmëritë më të larta në rajon, sepse sipas meje infeksioni është shumë i përhapur në terren. Puna e mjekëve tanë është e jashtëzakonshme. Kishte steriotipe për mjekët dhe sot jemi të gjithë në dorën e tyre. Në momentin që të përfundojë kjo pandemi duhet të mendohet edhe për rrogat e mjekëve. Një njeri që bën 12 vjet shkollë nuk mund ta ketë rrogën më pas se një deputet”, tha Doda.

Po ashtu ajo tha se duhen të bëhen publikë identitetet e personave të prekur me Covid-19, pasi kjo do të ndihmonte ata që kanë pasur kontakte tu merrnin masat e duhura.

“Nuk ka asnjë problem, është një virus që mund të më kapë edhe mua edhe ty. Kjo është një mënyrë që njerëzit e dinë kë kanë takuar dhe të marrin masat. Edhe Mali i Zi e nxori. Nuk janë persona të dëmtuar moralisht këta”, u shpreh ajo, duke theksuar se nuk duhen mbajtur të fshehta as shifrat.

“Për mua mbajtja fshehur e numrave, mbajtja fshehur e emrave dhe situatës, përqëndrimi i gjithave në një laborator në Tiranë, jo vetëm që po e vështirëson, por po e përhap pandeminë në mënyrën se si po vepron . Nuk përbën asnjë turp dhe asnjë sekret shtetëror këtu”, përfundoi Doda. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!