Situata në Korçë pas tërmetit

schedule10:14 - 2 Qershor, 2019

schedule 10:14 - 2 Qershor, 2019

Ka qenë një natë e gjatë ajo e mbrëmshmja për 230 banorët të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti i djeshëm në Korçë. Ata e kanë kaluar natën në çadrat e ngritura nga Emergjencat Civile dhe forcat e armatosura. Të prekurit nga tërmeti bëjnë thirrje për rindërtimin e banesave të tyre, ndërsa nënkryetarja e Këshillit Bashkiak të Korçës kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Çadra do të jetë tashmë streha për rreth 230 banorë të fshatit Floq, Vidovë dhe Qafzes në Korçë, të cilët u prekën nga tërmeti i së shtunës me magnitudë 5.3 ballë të shkallës Rihter.

Ata e kanë kaluar natën mes frikës dhe pasigurisë, teksa lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe gjatë natës.

Të shqetësuar për çfarë humbën nën rrënoja, banorët i tremb më shumë e nesërmja. Ata nuk e dinë sa kohë do t’u duhet të jetojnë në çadra, ndërsa kërkojnë nga autoritetet rindërtimin e banesave, në një kohë sa më të shpejtë.

Përballë këtyre kushteve, nënkryetarja e këshillit bashkiak të Korçës kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe reagim të autoriteteve shtetërore, për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura.

Situatë të vështirë po kalojnë edhe banorët e fshatit Qafëzez në Kolonjë, ku mbi 70 shtëpi rezultojnë të dëmtuara, gjysma prej të cilave janë të pabanueshme.

Sipas njoftimit zyrtar të Emergjencave Civile, pas tërmeteve të djeshme janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, si dhe 8 kabina elektrike të dëmtuara, 7 prej të cilave janë riparuar. Gjithashtu, sipas emergjencave, ne Floq funksionon shërbimi shëndetësor 24 orë, ndërsa banorët e prekur nga tërmetet janë furnizuar me ushqime dhe ujë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!