Pas ndërhyrjeve nga toka dhe nga ajri situata e zjarreve në vend po përmirësohet. Shumica e vatrave janë vënë nën kontroll, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë betejën me flakët në pesë vatra aktive ndërsa 5 të tjera po mbahen në mbikqyrje.
Në Malin e Dajtit zjarrfikësit dhe nje helicopter I Forcës Ajrore po ndërhyjnë për shuarjen e flakëve mbi tunelet e Qafë Mollës.
Zjarri në këtë zonë vijon, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Një vatër zjarri është riaktivizuar në një sipërfaqe prej rreth 8 hektar pyje në malin e Dardhës në Librazhd. Në terren ndodhen zjarrfiksit e zonës për ta lokalizuar.
Në Ballenjë të Dibrës flakët vijojnë në terren të vështirë shkëmbor dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Qafë Helmës të Bulqizës, vatra vijon të jetë aktive dhe mbahet nën monitorim. Njëkohësisht po punohet dhe për izolimin e vatrës në Valikardhë ku flakët favorizohen nga era.
Ndërsa në zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë sipas ministrisë së mbrojtjes nuk ka më vatra aktive zjarri por situata po mbahet në monitorim.


