Sistemet nën hakerim prej 14 muajsh, Salianji: Prokuroria të nisë hetimet

schedule12:16 - 22 Shtator, 2022

schedule 12:16 - 22 Shtator, 2022

Ngjarjen më të rëndë të ndodhur në Shqipëri e ka cilësuar deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji hakerimin e sistemeve nga Irani. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti citoi raportin e FBI për sulmin ndaj vendit tonë, ku theksuar se sistemet kanë qenë nën hakerim për 14 muaj me radhë.

Deputeti tha se për muaj të tërë askush nuk e ka kuptuar këtë, ndërsa bëri thirrje që prokuroria të nisë hetimet për të zbuluar përgjegjësit.

Lexo edhe: Sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, FBI dhe CISA: Hakerët iranianë qëndruan në rrjetin qeveritar për 14 muaj

“Në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Thonë disa se ne u sulmuan sepse jemi partner i SHBA. Shqipëria e ka fat që është partneri i SHBA. Ne kemi rënë se jemi të dobët.

Rekomandimet e FBI tregojnë si ka dështuar shteti shqiptar. Prokuroria të nisë menjëherë hetimet për të gjetur përgjegjësit. 14 muaj hakerimi  në Shqipëri. Për 14 muaj nuk i ka rënë në sy dikujt. Këtu ka ndonjë përgjegjës?

Nuk janë përditësuar sistemet. Qeveria nuk i ka bërë. Cila është arsye? Raporti thotë prej muajsh. Nuk e themi ne, e thotë FBI. Ka ndonjë përgjigje qeveria? Duhet çaktivizuat protokollet e rrjetit te panevojshëm. Nuk është bëre as kjo.

Rama doli në korrik dhe tha nuk kanë bërë asgjë. Kryeministri është i përgënjeshtruar nga dokumente të klasifikuara që kanë dalë në publik.

Qeveria në komision u përpoq ta cilësonte si përgjegjësi personale. Ku kanë shkuar paratë, 195 milion euro? Ka sot përgjigje për këtë? Kjo është një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur dhe nuk mund të kalohet kështu”, tha deputeti.

Në raportin e FBI thuhet se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë morën akses fillestar në rrjetin e e Shqipërisë afërsisht 14 muaj përpara se të fillonin sulmin shkatërrues kibernetik, i cili përfshinte një kodues skedarësh të stilit ransomware dhe një malware që fshinte disqet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!