Kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se po punojnë për një sistem të ri dixhital për kontrollin e shkollave. Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë shtoi se po punojnë me Emiratet e Bashkuara Arabe për një projekt të shkollave që ka rezultuar i suksesshëm atje.
Më tej, Rama shtoi se do të rishikohen edhe masat ndëshkuese nëse shkelet rregulli i ndalimit të telefonave në shkolla.
“Nga ana tjetër, siç e kam lajmëruar në fillim të vitit shkollor, kemi adresuar temën e sigurisë në shkollë. Jemi duke punuar për një sistem të ri dixhital të kontrollit të shkollave dhe çdo klase me kamera inteligjente të rrugëve kombëtare dhe të qyteteve. Po punojmë prej një viti me këtë projekt me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ky sistem është realizuar me sukses në aspektin e rritjes së sigurisë në përgjithësi dhe me rezultate mbresëlënëse në rritjen e sigurisë dhe uljen e bullizmit në shkolla. Kemi dakordësuar dhe volumin e financimit, dhe së shpejti, do ta prezantojmë publikisht dhe do të nisim punët për zbatimin që synojmë të përmbyllim plotësisht në 20 muaj ndërkohë që hap pas hapi fillojmë pajisjen me këtë sistem. Prej vitesh kemi ndaluar hyrjen e celularëve nëpër shkolla, por është koha për të rishikuar sanksionet për shkeljen e këtij rregulli”, tha Rama./abcnews.al