Siri/ Luftëtarët e huaj kthejnë armët nga turqit

schedule22:03 - 25 Janar, 2018

schedule 22:03 - 25 Janar, 2018

Luftëtarët e huaj që shkuan në Siri për të luftuar kundër ISIS, tani i kanë kthyer armët kundër trupave turke, që kërkon të asgjësojë milicitë kurde në veri të vendit. Për mercenarët e huaj, mes Shtetit Islamik dhe ushtrisë turke nuk ka asnjë ndryshim.

Luftëtarët e huaj që udhëtuan në Siri për të luftuar kundër Shtetit Islamik, tani i kanë kthyer armët ndaj forcave turke që po përpiqen të fitojnë terren. Huang Lei, një 24-vjeçar me nënshtetësi britanike, ka deklaruar për CNN se të paktën 25 vetë nga vendet e Perëndimit ndodhen aktualisht në rajonin verior të Afrinit, në ndihmë të luftëtarëve kurdë, që kërkojnë të ndalin avancimin e trupave të Ankarasë.

Gjashtë luftëtarë të tjerë, përfshirë njërin me theks amerikan, janë shfaqur në një video të njësisë kurde YPG duke u përgatitur për luftë. Një zyrtar i Forcave Demokratike Siriane, në radhët e të cilave përfshihet edhe YPG-ja, ka deklaruar se luftëtarët e huaj, që janë disa dhjetëra, janë kryesisht shtetas amerikanë, britanikë dhe gjermanë. CNN shkëmbeu mesazhe me Huang Lei përmes një rrjeti social, por nuk ishte në gjendje të verifikonte deklaratat e tij.

Lei, nga qyteti i Mançesterit, deklaroi se deri dy ditë më parë po luftonte kundër ISIS në një zonë tjetër të Sirisë.

“Erdha këtu të mbroj popullin vendas nga terrorizmi. Pak rëndësi ka nëse agresorët janë militantët e ISIS apo ushtria turke. Në Afrin, trupat turke po sulmojnë objektet civile, si për shembull spitalet”, deklaroi Lei.

Me Shtetin Islamik që ndodhet në prag të çrrënjosjes nga territori, luftëtarëve të huaj u mbeten dy zgjidhje: ose të kthehen në shtëpi, ose të vazhdojnë mbështetjen për milicitë ku janë anëtarësuar./abcnews.al