Siri/ Koalicioni i udhëhequr nga SHBA godet bazat e ISIS

schedule18:51 - 24 Janar, 2018

schedule 18:51 - 24 Janar, 2018

Koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik ka goditur bazat e grupit terrorist në Siri, duke vrarë 150 militantë, të cilët po përgatiteshin të kryenin sulme.

Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Shtetit Islamik ka ekzekutuar 150 militantë të këtij grupi përmes një seri sulmesh ajrore të kryera në bazat e tyre në Siri. Sulmet janë kryer në ditët e fundit, në afërsi të lokalitetit Al Shafah, në luginën e lumit Eufrat.

Sipas një deklarate të shpërndarë nga koalicioni, kombinimi i informacioneve të mbledhura nga shërbimet e inteligjencës dhe mbajtja nën mbikëqyrje e objektivave shmangu viktimat në radhët e civilëve. Koalicioni ushtarak bën me dije se grupi terrorist ka humbur 98 për qind të territorit që kishte zaptuar në Irak dhe Siri, në vitin 2014, ku shpalli dhe krijimin e kalifatit.

ISIS aktualisht kontrollon vetëm disa zona të vogla në Siri, përfshirë një pjesë të luginës së Eufratit, ku ndodhet nën presionin e vazhdueshëm të aleatëve dhe luftëtarëve kurdë e arabë, të bashkuar në fraksionin e njohur si Forcat Demokratike Siriane.

Sipas deklaratës për shtyp, operacioni “me saktësi të lartë” u krye pas një pune të vështirë në terren të shërbimeve të inteligjencës. Këto të fundit zbuluan se militantët po grumbulloheshin në bazat e tyre për t’u hedhur në aksion, por sulmet ajrore prishën planet e tyre. Por për gjeneralin James Jarrad, komandant i operacioneve speciale, sulmet e fundit konfirmojnë shqetësimin e koalicionit se lufta për të çliruar Sirinë nga ISIS është ende larg fundit./abcnews.al