Sirenat e alarmit bien në gjithë Ukrainën, breshëri raketash nga Rusia

schedule11:28 - 8 Janar, 2024

schedule 11:28 - 8 Janar, 2024

Rusia  ka sulmuar rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash nga ajri më 8 janar, duke plagosur tetë njerëz dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike, thanë zyrtarët ukrainas.

Ushtria ukrainase tha se në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, janë lëshuar sirena për sulme ajrore. Kanalet vazhduese ukrainase thanë se rreth dhjetëra bombardues strategjikë rusë shkrepën raketa lundruese, përfshirë raketa hipersonike të llojit “Kinzhal”.

U raportua për shpërthime të shumta në rajonet si, Harkiv, Dnipro, Kriv Rih, Hmelnitski dhe Zaporizhja.
“Mëngjesi nis me një shpërthim në qytet”, tha Ihor Terekhov, kryetar i Harkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, duke iu bërë thirrje qytetarëve të strehohen.

Guvernatori rajonal i Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se qyteti u godit nga të paktën katër raketa, të cilat e dëmtuan një ndërmarrje industriale dhe një institucion arsimor. Dy njerëz u plagosën dhe dy të tjerë kanë ngecur nën rrënoja, tha ai.

Guvernatori Yuriy Malashko raportoi për pesë shpërthime në Zaporizhja, dhe shtoi se së paku dy njerëz u plagosën si pasojë e sulmeve të cilat gjithashtu i dëmtuan zonat e banimit.

Në Krivi Rig, Oleksandr Vilkul, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes, tha se qyteti është duke u përballur me sulme të mëdha ajrore.

Së paku gjashtë shpërthime u raportuan në rajonet Hmenlnitski dhe Dnipro.
Ndërkohë, Vyacheslav Gladkov, guvernator i rajonit rus, Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën, tha se rreth 300 qytetarë janë evakuuar vullnetarisht nga qyteti i Belgorodit, pas sulmeve që Ukraina po i kryen matanë kufirit.

“Rreth 300 qytetarë të Belgorodit, të cilët vendosën të largohen, janë vendosur përkohësisht në qendrat e akomodimit në Stari Oskol, Gubkin dhe Koroçanski [në rajonin e Belgorodit]”, tha Gladkov.

Më 30 dhjetor, zyrtarët rajonalë të Belgorodit thanë se nga sulmet ukrainase në këtë qytet u vranë 25 njerëz.

Ukraina e sulmoi qytetin rus si përgjigje ndaj sulmeve të mëdha raketore të Rusisë më 29 dhjetor në Ukrainë, ku u vranë dhjetëra njerëz./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!