Sirena turke për Ardit Hoxhajn, Boluspori i Selmanit ka një rival

schedule20:26 - 20 Prill, 2021

schedule 20:26 - 20 Prill, 2021

Dy klube turke interesohen për sulmuesin e Vllaznisë, Ardit Hoxhaj. Turqit do ta vëzhgojnë futbollistin vlonjat, ndërsa e kërkuan edhe në janar të këtij viti

Është një nga lojtarët më të spikatur gjatë kësaj stine futbolli. Ardit Hoxhaj po shkëlqen në radhët e Vllaznisë dhe paraqitja e sulmuesit ka tërhequr vëmendje nga jashtë Shqipërisë.

Dy klube të Ligës së Parë të Turqisë, Samsunspori dhe Boluspori pritet të rikthehen këto ditë në ndjekje të futbollistit 26-vjeçar, pasi e kërkuan edhe në janar.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dijë se dy klubet do të dërgojnë përfaqësues në Shqipëri për ta ndjekur në ndeshjet e fundit të sezonit, e sidomos në finalen e Kupës së Shqipërisë që luhet në 29 maj, mes Vllaznisë e Skënderbeut.

Sulmuesi vlonjat ka shënuar 11 gola dhe ka shërbyer 1 asist në 26 ndeshje të Superligës këtë sezon, duke qenë I treti në renditjen e golashënuesve, pas Patrik Eze së Kukësit me 13 gola dhe Agim Ibraimit, po të Kukësit, me 12.

Burimet e mësipërme informuan se Samsunspori ofroi 150 000 euro për kartonin në janar të këtij viti, por Vllaznia e refuzoi transferimin.

Samsunspori është në vendin e tretë në Ligën e Parë të Turqisë, me pikë të barabarta me vendin e dytë, dhe ka shanse të mëdha për t’u ngjitur në Superligë. Boluspori, ndërkaq, është në pozita më të dobëta, pasi ndodhet në vendin e 12-të nga 18 ekipe.

Për Bolusporin luan portieri i kombëtares shqiptare, Gentian Selmani, i cili është paraqitur shumë mirë këtë sezon, ashtu si edhe shqiptarë të tjerë si Rroca, Cikalleshi, Ethemi apo Abazaj, duke rritur interesimin për lojtarët kuqezinj në Turqi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!