Ja ku jemi kthyer sërish te futbolli i luajtur.
Mirlind Daku e ka lënë pas skandalin që shkaktoi vetë në Kampionatin Evropian, dhe është bashkuar me shokët te rusët e Rubin Kazan, ku u prit mjaft mirë nga lojtarët e tjerë, të paktën siç thotë trajneri Rahimov dhe tashmë shpreson që të jetë sërish në nivelin e sezonit të kaluar në Premier Ligë.
Mirëpo, jemi periudhë transferimesh dhe për Dakun ka interesim, madje mediat ruse japin emër konkret, ku sipas raportimeve më të fundit, të televizionit “Match TV”, për futbollistin e Kombëtares shqiptare ofertë konkrete ka dërguar klubi i Serie A, Cagliari.
Skuadra nga ishulli i Sardenjës dëshiron ta ketë në radhët e veta 26-vjeçarin, ndonëse ende nuk ka hollësi se çfarë shume është gati të japin nga Italia për shqiptarin e sipas raportimeve të mëtejshme, rusët ende nuk kanë dhënë një përgjigje.
Më herët, vlerësimi për kartonin e Dakut në Rusi ka qenë nga 10 deri në 12 milionë euro dhe shpresa ishte që ai të kishte një rol në Evropian, mirëpo “bomberi” nga Gjilani luajti pak në Gjermani.
Megjithatë, ajo që ai ka bërë edicionin e kaluar është për t’u vlerësuar, me sulmuesin shqiptar që shënoi 10 gola dhe shërbeu 4 asistë në 33 ndeshjet, në elitën e futbollit rus, madje ishte lojtari më i mirë i sezonit për Rubin Kazan, si dhe shënuesi i golit më të bukur të vitit, sipas tifozëve të ekipit. /i.m /abcnews.al