“Tragjedia duhet të na bashkojë si prindër”, Rama: Parlamenti shkollë e hapur dhune. Ata që derdhën lot krokodili…

schedule12:58 - 20 Nëntor, 2024

schedule 12:58 - 20 Nëntor, 2024

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë për shtyp me gazetarët. Ai ka folur për vrasjen e 14-vjeçarit, Martin Cani, duke thënë se kjo tragjedi duhet të na bashkojë të gjithë si prindër dhe si qytetarë.

Ai ka theksuar se duhet pasur një kujdes për fëmijët, nga shkolla dhe deri te televizionet, pasi ka dhunues të papërgjegjshëm, duke përfshirë dhe sallën e kuvendit.

“Në mbyllje, dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit 14 vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës Fan Noli është shumë e madhe për tu futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo elite politike dhe mediatike e cila përditë, përnatë devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit.

Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vetë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tan, përfshirë dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës  duke përfshirë dhe vet sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës.

I siguroj të gjithë prindërit se personalisht unë jam shumë i vetëdijshëm, plotësisht i angazhuar që në pjesën time të frontit së bashku me kolegët e qeverisë të bëjmë së bashku me ta të gjitha gjërat e mundura për të lehtësuar fëmijët tanë nga presioni i hatashëm i rrjeteve sociale dhe për të rritur në tërësi cilësinë e sigurisë së tyre.

Pres me padurim rezultatet e këshillimit të gjerë me komunitetet e prindërve, lidhur me qasjen që duhet të zgjidhim së bashku ndaj Tik-Tok-ut, SnapChat-it apo të dyve bashkë sepse nga të gjitha hulumtimet tona, janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe të akteve të bullizmit deri dhe pastaj në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet me patjetër të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!