Si ndryshoi tenderi i Porto-Romanos për 3 javë: Zbardhet korespondenca e Ujësjellësit me palët

schedule18:52 - 8 Shkurt, 2020

schedule 18:52 - 8 Shkurt, 2020

Ndryshimi i procedurave të tenderit për landfillin e Porto-Romanos ka ndodhur papritur brenda tre javësh. Kjo konfirmohet në korespondencat mes Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve dhe palëve të interesuara në këtë proces. Gjithë prokurimi ka marrë dhe firmën e Kryeministrit Rama në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërsa dosja e tenderit të Porto Romanos ka shkuar në duart e prokurorëve të SPAK, Abcnews.al sjell fakte të reja mbi procedurat e zhvilluara. Dyshimet për abuzime, faktohen në dokumentet zyrtare të Agjencisë së Ujësjellës Kanalizimeve dhe të Këshillit Kombëtar të Territorit. Në tenderin me vlerë 17 miliard lekë, rezulton se ndryshimi i procedurave ka ndodhur në fillim të këtij viti.

Agjensia e Ujësjellës Kanalizimeve me anë të një korespondence në 4 dhjetor të 2019 sqaron palët e interesuara se po vijonin procesin e tenderit standard. Në përgjigjen e institucionit thuhet se tenderi për mbylljen e Porto Romanos është në fazën e shqyrtimit, pas shpalljes në Tetor 2019 .

Por krejt papritur procedrat ndryshuan brenda tre javësh!

Ndërkohë që gjithçka është konfirmuar edhe nga vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit që drejtohet nga kryeministri Edi Rama. Në vendimin e datës 13 Janar 2020, KKT vendos të miratojë Lejen e Ndërtimit për landfillin e Porto Romanos.

Kompanitë që kanë fituar tenderin “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest International” kanë për detyrë të largojnë plehrat nga Porto-Romano një pjesë e të cilave do të sillen në landfillin e Sharrës. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.

Kontrata koncensionare për inceneratorin e Sharrës, parashikon që Bashkia e Tiranës do t’i paguajë kompanisë private 29 euro/ton mbeturina. Kjo kompani ka fituar të drejtën e ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës për një afat 30 vjeçar.

Nëse në landfillin e Sharrës shtohen edhe mbeturinat e Durrësit atëherë automatikisht inceneratori i Tiranës përfiton rreth 4.5 milionë euro shtesë në vit. /abcnews.al