Shumë finale dhe dy ndeshje derbi, akti i 20-të i Superiores në fundjavë

schedule17:16 - 15 Shkurt, 2021

schedule 17:16 - 15 Shkurt, 2021

Superiorja rikthehet në fundjavë. Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës detyruan FSHF-në t’i shtynin përballjet e programuara për të mërkurën dhe tashmë ka një plan konkret për duelet e javës së 20-të të kampionatit.

Të shtunën luhen tre takimet e para dhe ajo që tërheq më shumë vëmendjen është Tirana-Teuta. Për bardheblutë, që i mundi Kukësi në fundjavë, është treni i fundit për të shpresuar në pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Nga ana tjetër durrsakët duan të vijojnë betejën për titullin kampion dhe fitoren e shohin si objektivin e vetëm gjithashtu. Laçi, pas tre fitoreve jashtë fushe, tani është i dënuar të fitojë për herë të parë për sivjet derbin me Kastriotin.

Apolonia-Bylisi është një tjetër derbi, këtë herë për mbijetesën. Të tria këto ndeshje luhen të shtunën prej orës 13:00, ndërsa një ditë më pas, po në të njëjtën orë, luhet përballja Skënderbeu-Vllaznia. Vetëm tre pikët u bëjnë punë të dyja skuadrave.

Java e 20-të e Superiores mbyllet në “Elbasan Arena”, aty ku prej orës 16:00 do të zhvillohet sfida mes Kukësit dhe Partizanit. “Demat”, që synojnë titullin”, sigurisht që do kërkojnë tre pikët. Skuadra e Josës gjithashtu e ka të qartë objektivin, pasi pjesëmarrja në kupat e Europës është detyrim. /abcnews.al

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 20
E shtunë, më 20 shkurt 2021
Ora 13:00 | Tirana-Teuta
Ora 13:00 | Laçi-Kastrioti
Ora 13:00 | Apolonia-Bylisi

E diel, më 21 shkurt 2021
Ora 13:00 | Skënderbeu-Vllaznia
Ora 16:00 | Kukësi-Partizani

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!