“Shullazi”/Nuk do të dëshmojë ish nr. 2 i policisë Çipa

schedule12:33 - 27 Mars, 2018

schedule 12:33 - 27 Mars, 2018

Pesëshja gjykuese e dosjes në ngarkim të Emiliano Shullazit tek Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e avokatëve për thirrjen në proces të ish-nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardian Çipa. Zyrtari i policisë do të jepte sqarime përse ka fituar mbrojtje policore Besnik Musai, dëshmitar në proces. 

Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi të martën kërkesën e avokatit mbrojtës të Emiliano Shullazin, për thirrjen në sallën e gjyqit të ish-nëndrejtorit të Përgjitjshëm të Policisë së Shtetit, Ardian Çipa.

Avokati Vladimir Meçi kërkoi thirrjen e zyrtarit të policisë, aktualisht drejtues i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, kishte të bënte me sqarimin e situatës se përse dëshmitari Besnik Musai gëzon mbrojtje policore. Në një përgjigjen e sjellë për gjykatën, kjo drejtori motivonte mbrojten e tij si rreth familjar i dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja, i cili është në mbrojtje nga 7 nëntori 2016.

“Besnik Musai është familjar i një lidhjeje jashtëmartesore të Beqjes dhe ligjërisht ai nuk është rreth familjar i tij”, tha mbrojtësi i revoltuar.

Avokatët u shprehen se emri i Besnik Musait është bërë i ditur për prokurorinë shumë më herët para se të thirrej si dëshmitar.

Duke pretenduar parregullsi avokatët deklaruan se i janë drejtuar Operacionit Ndërkombetar të Monitorimit dhe kryeprokurores së përkohshme Arta Markut për ta vënë në dijeni në lidhje me devijimin e procesit gjyqësor nga pala e akuzës.

Gjatë seancës së, gjykata administroi si provë të kërkuar nga mbrojtja regjistrimin audio të një interviste të dhënë në media nga Ylvi Beqja në prill 2016. Në bisedën e bërë, Beqja në më shumë se katër raste pohonte se ia kishte dhuruar me vullnet të plotë një sipërfaqe prej 700 metërkatrorë të ish-hotel Vollgës në Durrës, Emiliano Shullazit. Ai e motivonte dhuratën me faktin se falë Shullazit dhe miqve të tij, nuk kishte marrë kërcënime që merrte prej disa vitesh.

Procesi gjyqësor në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehure është në fazën e administrimit të provave të mbrojtjes.

/abcnews.al