Shtohen në masë vdekjet nga qetësuesit në SHBA

schedule22:13 - 26 Tetor, 2017

schedule 22:13 - 26 Tetor, 2017

Presidenti amerikan Donald Tramp shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare shëndetsore, pas rritjes historike të numrit të vdekjeve nga përdorimi në masë i qetësuesve. Statistikat tregojnë se 140 amerikanë vdesin çdo ditë nga përdorimi i këtyre substancave ku bëjnë pjesë edhe lëndët narkotike si heroina.

Numri i vdekjeve nga përdorimi masiv i qetësuesve në Shtetet e Bashkuara ka arritur nivele alarmante, që përbëjnë rekord historik. Një situatë që ka detyruar presidentin amerikan Donald Tramp të shpallë gjendjen e emergjencës kombëtare shëndetsore.
Gjatë një konference për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Tramp tha se vendi ndodhet në atë që konsiderohet si “Kriza e Opioidëve”. Duke iu referuar statistikave më të fundit, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se 140 amerikanë po humbin jetën çdo ditë nga përdorimi në masë i ilaçeve që qetësojnë dhimbjet. Vitin e kaluar, më shumë se 64 mijë njerëz humbën jetën nga përdorimi i qetësuesve, duke shënuar një rekord absolut të të gjitha kohërave.
Në kategorinë e opioideve bëjnë pjesë medikamente si kodeina e morfina, të përdorura për të qetësuar dhimbjet e forta nga pacientët që vuajnë nga sëmundje të rënda si kanceri, apo pas ndërhyrjeve kirurgjikale, por edhe lëndët narkotike të ndaluara si heroina.
Sipas presidentit, përdorimi i këtyre drogave po shkakton më shumë vdekje se aksidentet rrugore dhe vrasjet me armë. Ndaj dhe e konsideroi si tepër të nevojshme shpalljen e gjendjes së emergjencës, që ligjërisht nuk zgjat më shumë se 90 ditë. Shpallja e gjendjes së emergjencës i jep mundësi shërbimit shëndetsor të tërheqë nga buxheti i shtetit, më shumë se dyfishin e fondit aktual të emergjencës prej 57 miliardë dollarësh, për ta vënë atë në dispozicion të rasteve kur pacientëve u rrezikohet jeta nga përdorimi i qetësuesve.