Shteti në shënjestër, kush po sulmon policët dhe administratën në Shkodër

schedule11:45 - 29 Qershor, 2022

schedule 11:45 - 29 Qershor, 2022

Dy nën drejtorët e rendit në Elbasan Albert Nushi dhe Nikollaq Palla u vunë në arrest shtëpie së fundmi pasi ka kaluar më shumë se një vit nga vrasja e Pjerin Xhuvanit. Bashkë me gjashtë efektivë të tjerë të policisë  ata “nuk patën kurajon” që të vepronin para disa njerëzve që ishin të njohur në qytet dhe “nuk mund të prekeshin.”

Edhe pse duket si një skenar i ngjashëm me serialet që në fokus kanë kartelet meksikane apo kolumbiane, në shumë qytete të vendit që janë të “njohur” për bandat e tyre, ky tashmë është një realitet i pranuar.

Jo më larg se dje, në Shkodër, një tjetër qytet i njohur për bandat dhe krimin e organizuar,  ju vendos tritoli Suida Kukës, 28 vjeçe, me profesion stomatologe. E reja njoftoi policinë të martën pasi poshtë automjetit të saj tip “Range Rover” ishte vendosur një bombë e sofistikuar me telekomandë.

Pas njoftimit, policia e konstatoi eksplozivin poshtë makinës, të mbështjellë me një qese kroasanti, ndërsa më pas u bë një shpërthim i telekomanduar nga ekspertët e RENEA-s.

Kuka vetë ka deklaruar në polici se nuk kishte konflikt me askënd. Megjithatë, policia nuk e ka ende të qartë se kush mund të ketë dashur ta eliminojë të renë apo nëse ka qenë thjesht një mesazh ndaj dikujt tjetër.

Autoritetet janë duke verifikuar vendimet e Kukës gjatë detyrës së saj si drejtore e Operatorit te Kujdesit Shëndetësor Shkodër për të zbuluar nëse gjatë kësaj periudhe ka qenë apo jo dikush i prekur prej kësaj veprimtarie që mund të çojë deri në vendosjen e një bombe poshtë makinës.

Po ashtu, një pistë tjetër është dhe ajo e ndonjë gjobe të papaguar. Mësohet se babai i saj është biznesmen dhe policia dyshon se ndonjë prej grupeve kriminale të Shkodrës t’i ketë vënë gjobë të atit të saj dhe pasi ai nuk e ka paguar, ta kenë paralajmëruar përmes së bijës.

Po në Shkodër, në fillim të qershorit, një efektiv policie ra pre e sulmit me tritol nga persona të panjohur duke e rënduar kështu bilancin e sulmeve ndaj uniformave blu.

Shtëpisë Pëllumb Vukës iu vu tritoli në murin e banesës rreth orës 02:25 në fshatin Hot i Ri. Si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale. Në dëshminë e parë të dhënë para kolegëve, Vuka deklaroi se nuk ka konflikte me persona të tjerë.

Më 20 Maj një tjetër efektiv policie u sulmua me tritol

Një person mashkull i maskuar si femër, me paruke me flokë të gjata në kokë dhe i veshur me një fustan ndez fitilin dhe i vë tritolin lokalit në pronësi te policit Ndrek Rrasa, në Grudë të Shkodrës dhe më pas të njëjtin veprim kryen duke i vendosur lëndën plasëse poshtë automjetit të efektivit. Gjithçka ndodhi për 20 sekonda, rreth orës 2 e 30 minuta, ku autori nëse nuk do të vraponte mund të rrezikonte edhe veten. Policia e Shkodrës njofton se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale në lokal, ndërsa është djegur plotësisht automjeti në pronësi të 46-vjeçarit Rrasa. Ai është efektiv i policisë së Shkodrës pranë sektorit të patrullës dhe gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë. Dyshimet e para nga grupit hetimor janë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës.

Më 14 Maj të këtij viti, i vihet flaka makinës së Sokol Kronit.

Në orët e para të mëngjesit të 14 Majit në lagjen “Tre Heronjtë” të Shkodrës i është vënë flaka makinës në pronësi të Sokol Kronit, punonjës i policisë në Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti. Një person i maskuar duke i hedhur benzinë automjetit tip “Mitsubishi” i parkuar pranë banesës së 54-vjeçarit Kroni. Personi pasi i vë flakën largohet me shpejtësi. Deri më tani, autori i kësaj ngjarje ka mbetur i paidentifikuar nga policia.

Më 28 prill, i digjet makina efektivit Dritan Turhani

Automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani është shkrumbuar gjatë natës së 28 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Perash” të Shkodrës. Hetuesit kanë dyshime se është djegie e qëllimshme pasi janë gjetur gjurmë të lëndëve djegëse.

Këto ngjarje të njëpasnjëshme në qytetin verior të Shkodrës, dyshohet se lidhen me aksionet e vazhdueshme që po kryhen në këtë zonë, kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Deri më tani asnjë prej autorëve të këtyre ngjarjeve nuk është kapur.

Mesa duket në qytete ku bandat kanë një pjesë të mirë të pushtetit, por jo vetëm,  sulmet ndaj shtetit dhe atyre që u prekin interesat duke bërë punën e tyre, është më e lehtë të “investosh” në tritol dhe metoda të tjera për t’u dhënë mesazhin: na lini të bëjmë të qetë “punët” tona.  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!