Një nga vendet më të preferuara për t’u vizituar nga turistët në Gjirokastër është shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare. Përgjegjësi i shtëpisë Bruno Pjetri thotë se ka një rritje të numrit të vizitorëve në krahasim me një vit më parë.
Mund të quhet shtëpia më e vizituar në qytetin e gurtë. Çdo turist që vjen në Gjirokaster nuk ikën pa vizituar shtëpinë e gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Deri tani, shifrat flasin për rreth 5000 vizitorë më shumë se një vit më parë. Ndërkohë që banesa pasurohet me detaje.
“Kohët e fundit, pas një investimi të bashkisë janë vendosur edhe këto foto nga jeta e Kadaresë në kohë të ndryshme. Shumë nga fotot janë marrë nga shkrimtari dhe nuk kanë qenë të publikuara më parë”.
Turistët e huaj kanë dëgjuar për Kadarenë megjithëse disa prej tyre nuk i kanë lexuar veprat e tij.
“Po është hera e parë që vij në Shqipëri. Për Kadarenë kam degjuar, por nuk di shumë për të. Shtëpia më pelqen shumë. Do të shkojmë edhe në shtepi të tjera, janë shumë origjinale. Kam dëgjuar për Kadarene nga miqtë e mi që udhëtojnë me ne. Pikturat dhe fotot janë shumë impresionuese”.
Shtëpia e gurtë u inagurua në fund të muajit Janar 2016 me rastin e 80-vjetorit të shkrimtarit, i cili mungoi në ceremoninë përuruese./abcnews.al