ATHINË-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Athinë, ku një 39-vjeçar shqiptar ka vrarë gruan e tij.
Ishte vetë shqiptari ai që lajmëroi policinë për krimin që kishte kryer. Ai u kërkoi efektivëve të shkonin në banesën e tij, pasi kishte vrarë me çekiç bashkëshorten dhe prej një jave e mbante trupin e saj në papafingo.
Forcat e policisë shkuan në vendngjarje dhe zbuluan trupin e më pas arrestuan shqiptarin, që pasi kreu vrasjen nuk ishte larguar nga banesa.
Shqiptari tha para policëve se vrasjen e kreu nga xhelozia, teksa fëmijët e çiftit ishin në shkollë
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që një shqiptar vret gruan në Greqi.
Mëngjesin e 1 dhjetorit një 46-vjeçar shqiptar vrau gruan e tij 60-vjeçare dhe plagosi djalin e saj 29-vjeçar, i cili i doli në mbrojtje së ëmës.
Sipas mediave greke ngjarja ndodhi në shtëpinë e rrënuar të familjes kur çifti – 46-vjeçari me origjinë shqiptare dhe gruaja e tij nisën të debatonin.
Mes debatit 46-vjeçari ka marrë një thikë dhe ka plagosur për vdekje gruan, ndërsa ka goditur edhe djalin e saj 29-vjeçar, i cili ka hyrë në mes, duke tentuar t’i ndajë.
Pasi u arrestua, shqiptari policëve ka treguar se krimin e ka kryer nga xhelozia.