Ata menduan se nuk do të paguanin gjobat që merrnin për parkimet e gabuara sepse makinat e tyre ishin me targa të huaja. Por, policia bashkiake i zbuloi dhe pasi nuk pranuan të paguanin gjobat, makinat u bllokuan.
Bëhet fjalë për një shqiptar dhe një gjeorgjian, makinat e të cilëve u bllokuan nga policia rrugore në Itali.
Makina e parë është një Fiat Punto me targa shqiptare e cila në 9 muaj kishte mbledhur 21 gjoba për parkim të gabuar në zonën e Via Baracca.
Më 12 maj policia e gjeti sërish të parkuar në trotuar.
Teksa po përgatisnin raportin, kuptuan se një burrë matanë rrugës po i shikonte me interes. Më pas ata iu afruan dhe e pyetën nëse e kishte ai makinën.
Burri u përgjigj se nuk kuptonte italisht sepse ishte shqiptar dhe u përpoq të tërhiqte vëmendjen duke u shtirur se i përgjigjej celularit, por duke nxjerrë telefonin nga xhepi i ka rënë çelësi i makinës me logon e Fiat-it. Ai mohoi që ishte pronar i makinës së parkuar, por kur u shtyp telekomanda dera e Fiatit u hap.
Shqiptari nuk mund ta mohonte më që ishte pronar i makinës, e cila rezultonte me 21 gjoba të papaguara. Gjobat arrinin vlerën e 1300 eurove dhe duke ju referuar targave të huaja duhet të paguheshin menjëherë. Shqiptari refuzoi të paguante dhe makina u bllokua, shkruajnë mediet italiane.
Rasti i dytë daton në datën 13 maj, kur gjatë kontrolleve rutinë një patrullë ndaloi një Mazda me targë polake në via Pistoiese që drejtohej nga një shtetas i Gjeorgjisë, i cili pretendonte se ishte pronari i makinës. Pasi rezultoi se kishte gjoba të papaguara në vlerën e 5100 eurove, makina e tij u bllokua./abcneës.al/