“Shqiponjat” qëlluan qytetarin/ Ekspertiza: Makina u godit nga tre plumba. Dëshmia: Një oficer më vuri armën në gjoks

schedule15:15 - 4 Tetor, 2024

schedule 15:15 - 4 Tetor, 2024

Zbardhet ekspertiza paraprake në lidhje me ngjarjen e ndodhur 10 ditë më parë, ku 3 efektivë të Shqiponjave qëlluan me armë drejt një makine “Audi”, në rrugën Tiranë – Fushë Krujë.

Sipas burimeve referuar ekspertizës, një nga predhat e gjetura më automjet rezulton të ketë dalë nga arma e shërbimit të efektivit Rezart Berberi, i cili vijon të jetë ende në kërkim.

Dyshohet që drejt mjetit të jetë qëlluar edhe nga një prej kolegëve të tij, Elton Dokollari apo Fliruan Zeneli, por predha është dëmtuar dhe ekspertiza nuk e ka vërtetuar dot.

Sipas ekspertizës, në makinë janë konstatuar 6 vrima që dyshohet se janë shkaktuar nga 3 plumba, kjo për faktin se kanë depërtuar brenda, duke rrezikuar jetën e shoferit dhe shokut të tij.

Qytetari në dëshminë e tij është shprehur se pasi është ndaluar nga efektivët për kontroll, i ka dhënë dokumentët dhe u ka kërkuar që të largohet pasi kishte djalin në spital. Ky pretendim është faktuar edhe nga grupi hetimor.

Sipas tij, një nga efektivët i ka vendosur pistoletën në gjoks dhe i ka kërkuar që të dalë nga mjeti. Në momentin që efektivi ka hequr pistoletën nga gjoksi i qytetarit, ky i fundit i ka dhënë gaz mjetit dhe është larguar me shpejtësi. Në këto momente efektivët kanë qëlluar me armën e shërbimit.

Efektivët bënë kallëzim për qytetarin se nuk iu bind urdhrin të policisë. Për këtë ngjarje gjykata caktoi arrest në burg, në mungesë, për efektivin Rezart Berberi me akuzën e vrasje me dashme e mbetur në tentativë.

Ndërsa detyrim paraqitje u caktua për dy kolegët, Elton Dokollari dhe Fliruan Zeneli, të akuzuar për moskallëzim krimi, falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!