Shqipëria U21, Cara: Superiorja ka lojtarë të mirë, ia vlen t’u japësh dorën

schedule12:17 - 23 Mars, 2021

schedule 12:17 - 23 Mars, 2021

“Ftesa Vjen në momentin e duhur, pasi kam bërë disa ndeshje të mira me Partizanin dhe kam shënuar. Kjo ftesë më rrit moralin edhe në aspektin personal. Normalisht ka vlerësim për kampionatin shqiptar, pasi nga Superiorja kanë kaluar edhe jashtë. Shqipëria U21 i ka ndihmuar normalisht”, kështu u shpreh fillimisht Tedi Cara, sulmuesi kavajas i Partizanit.

Më tej ai thekson se Shqipëria U21 ka ekip të mirë dhe se FSHF po sheh nga Superiorja pasi lojtarët e ftuar po e justifikojnë veten me paraqitjet e tyre.  “Ne do hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin gjithmonë. Me djemtë jemi shokë, ka shumë lojtarë të mirë në Superiore. Po luajnë në kampionat dhe shpresojmë se do të kemi ekip të mirë për marrë rezultate në vijim.

Mendoj se ka më shumë vëmendje, pasi e kanë parë dhe drejtuesit se kur i jepet shansi atyre që kanë cilësi, kanë treguar vlerat, janë shitur jashtë dhe klubi ka pasur përfitime financiare. Ja vlen t’u japësh dorën të rinjve dhe sa kemi parë deri tani të gjithë e kanë shpërblyer”, shtoi Cara.

“Ftesa? Kur të vjen një ftesë nga Kombëtarja është një privilegj, gjithmonë e kam ëndërruar dhe kur je këtu gjithmonë e harron atë që ke lënë në nivel klubi. Fokusohesh te ngjyrat kuqezi dhe kërkon të bësh më të mirën këtu”, tha sulmuesi i “Demave të kuq”, Tedi Cara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!