“Shota” ishte vetëm fillimi. 35 automjete taktike të lehta “Ujku” dhe 5 kamionë vetëshkarkues “Shkëmbi” vendosen në dispozicion të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, modelet më të reja të prodhuara nga kompania shqiptare TIMAK në bashkëpunim me KAYO.
Këto mjete do të përdoren për operacione luftarake nga FA apo dhe për situata fatkeqësie natyrore si zjarre apo përmbytje.
Kryeministri Rama zbuloi se falë kësaj strategjie, brenda vitit 2028 Forcat e Armatosura Shqiptare do të jenë të kompletuara me të gjitha mjetet, si një ushtri model e NATO-s.
“Brenda 2028, ushtria shqiptare do i ketë të gjitha mjetet, kapacitetet, që nga makina më e lehtë, deri te armët më të sofistikuara, nuk do ketë më asnjë katër rrotak që do i mungojë, do ketë flotë mjetesh të madhe sipas standardeve të NATO-s për nr. forcash, për kilometër territori, do jetë e pajisur me shumëçka që ka filluar dhe prodhuar në vend. Kemi marrëveshje me kolosë të industrisë ushtarake”, tha Rama.
Në prag të Samitit të ardhshëm të NATO-s, Rama deklaroi se mbrojtja ajrore në Tiranë, edhe për vetë Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, do të bëhet me dronë shqiptarë.
“Mbrojtja e qiellit në samitin e NATO-s, ku do të jetë dhe presidenti i SHBA-së, e dini ju si mbrohet ai nga qielli, nga toka, nga Marsi, nga Hëna, do bëhet me dronë superinteligjentë të prodhuar këtu, made in Albania. Kemi bërë edhe porosinë edhe për mbrojtjen kundërajrore që do e ketë së shpejti edhe Shqipëria”, u shpreh kreu i qeverisë.
Por qëllimi tjetër i qeverisë është të eksportojë mjete dhe pajisje ushtarake made in Albania në vende partnere. Deri dhe në ushtrinë amerikane.
“Mos u çudisni kur të vijmë këtu e të ekspozojmë gjëra të prodhuara këtu, të cilat do t’ia japim edhe ushtrisë më të madhe të botës, ushtrisë amerikane, prodhime Made in Albania. Imagjino një ushtar amerikan, me Made in Albania, kush do e imagjinonte, edhe po t’ua thoshim para disa vitesh, askush. Kjo është Shqipëria tjetër”, shtoi kryeministri.
Rama premtoi po ashtu rritje pagash për ushtarakët.
“Do ua rrisim dhe pagat, patjetër, pas gjyqtarëve e prokurorëve, s’kemi ç’bëjmë, aktualisht keni mesataren e pagave më të lartë në rajon, do i keni në mesataren e NATO-s. I bëj thirrje djemve e vajzave të rinj të bëhen pjesë e FA”, tha ai.
Paralelisht me mjetet ushtarake, Shqipëria do të ketë së shpejti edhe flotë zjarrfikësesh dhe autoambulancash “Made in Albania”.
“Ne do ndërtojmë një flotë zjarrfikësesh, që do të jetë njësoj si flota ushtarake që sa kemi filluar, me autoambulancat, e njëjta gjë”, përfundoi Rama.
Rama zbuloi edhe dy nisma të reja. Krijimin e një kompanie të ushtrisë shqiptare në shërbim të gjithë bashkive, kompani e infrastrukturës që do të bëjë mirëmbajtje dhe ndërhyrje për kanalet ujitës-vaditës, rrugëve rurale, si dhe në funksion të emergjencave. Si dhe hapjen e Ministrisë së Mbrojtjes për të vendosur asetet e ushtrisë në dispozicion të turizmit.


