Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

“Shqipëria mbrojti hebrenjtë”, Rama: Qeveria mban qëndrim të pandryshuar kundër antisemitizmit

schedule14:27 - 26 Janar, 2026

schedule 14:27 - 26 Janar, 2026

IZRAEL- Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij, u shpreh se marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Izraelit i kanë rrënjët e thella mes dy popujve. Ai përsëriti aktin bujar të shqiptarëve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk dorëzuan asnjë hebre në duart e persekutorëve.

Më tej, gjatë konferencës me homologun Benjamin Netanyahu, Rama tha se “Shqipëria qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë.”

Më tej ai, u shpreh: Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët  në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.



Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese.

Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera.

Vizita në Nova Site dje, menjëherë pas mbërritjes, ishte thellësisht trazuese. Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit.”,  Rama.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!