Shqipëria mbështet sulmin ushtarak ndaj arsenalit kimik në Siri

schedule15:28 - 14 Prill, 2018

schedule 15:28 - 14 Prill, 2018

Tirana zyrtare ka dënuar përdorimin e armëve kimike nga regjimi i Asadit në Siri dhe ka mbështetur sulmin ushtarak. Presidenti i Republikës, diplomacia shqiptare, Ministrja e Mbrojtjes dhe Partia Demokratike kanë reaguar pas goditjes së aleatëve.

Shqipëria ka mbështetur ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës e Britanisë ndaj arsenalit kimik të regjimit të Asadit në Siri.

Presidenti i Republikës Ilir Meta përmes një njoftimi për shtyp deklaron;

 “Jemi në krah të aleatëve tanë dhe mbështesim vendosmërinë e Presidentit Trump në mbrojtje të jetëve të njerëzve, të të drejtave të njeriut dhe të çdo veprimi i cili jo vetëm ndëshkon akte barbare, por krijon më shumë siguri dhe stabilitet në mbarë botën.”

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme thotë se përdorimi për të disatën herë i armëve kimike nga regjimi sirian është një krim i rëndë dhe shkelje e normave ndërkombëtare që duhet të dënohet.

Sulmet e sotme ishin një përgjigje në kohë sipas diplomacisë shqiptare.

Megjithkete Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme beson se një zgjidhje politike është ende e mundshme dhe se mbështet çdo përpjekje për të sjellë një paqe afat-gjatë dhe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.

Nderkohe  Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s sipas Ministrisë se Mbrojtjes i vlerëson si të papranueshme dhe rrezik për paqen ndërkombëtare përdorimin e armëve kimike, të cilat kanë marre jetë njerëzish të pafajshëm.

Sulmi ushtarak cilësohet si përgjigja e duhur.

Goditja ushtarake është mbështetur dhe nga Partia Demokratike.

Selia blu vlerëson si legjitime nderhyrjen për të cilën thotë se; “Përdorimi i këtyre armëve kimike rikonfirmoi  se regjimi i Asad-it është në gjendje të ndërmarrë veprimet më ç’njerëzore kundër popullsisë së pambrojtur, nëse nuk përballet me pasojat më të rënda.” /abcnews.al