Shqipëria i jep Kosovës borxh kamerat për zgjedhjet

schedule17:45 - 31 Gusht, 2021

schedule 17:45 - 31 Gusht, 2021

Shqipëria do i japë Kosovës borxh kamerat për monitorimin e procesit të zgjedhjeve lokale. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i KQZ-së në Shqipëri, Ilirjan Celibashi pas takimit me homologun e tij nga Kosova, Kreshnik Radoniqi, ndërsa thekson se teknologjia është një garanci e shtuar për procesin.

“Së bashku me z. Kreshnik Radoniqi nënshkruam në emër të KQZ-së së Shqipërisë dhe KQZ-së së Kosovës marrëveshjen e bashkëpunimit mes dy institucioneve tona, e cila parashikon përdorimin e përkohshëm nga pala kosovare të teknologjisë zgjedhore të zbatuar nga KQZ e Republikës së Shqipërisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të huazimit të 50 kamerave regjistruese dhe monitoruese të përdorura në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit, për t’i përdorur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në zgjedhjet vendore të 17 tetorit që do të mbahen në Kosovë.

I shpreha z. Radoniqi bindjen se kamerat e monitorimit në qendrat e votimit dhe vendet e numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare 2021 ishin garanci e shtuar për procesin zgjedhor dhe integritetin e zgjedhjeve.

Nga ana e tij, Kryetari i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi nënvizoi se përdorimi i këtyre kamerave regjistruese në QNR do të ndihmonte KQZ-e Kosovës në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe kandidatëve në aktivitetet që zhvillohen në QNR, pasi aty zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç janë numërimi i votave me kusht, votave me postë dhe rinumërimi i vendvotimeve.

Implementimi me sukses i teknologjisë zgjedhore në zgjedhjet e Shqipërisë, ka bërë që mjaft vende të rajonit dhe më gjerë, t’i drejtohen KQZ-së për ekspertizë lidhur me aplikimet dhe teknologjinë inovatore në zgjedhje. KQZ e Kosovës synon që në zgjedhjet e tetorit, të përdorë kamerave regjistruese dhe monitoruese të huazuara nga KQZ e Shqipërisë, për të rritur sigurinë dhe garantuar integritetin e procesit të numërimit të votave” tha Celibashi./ db/Abcnews.al