William Cordeiro, mesfushori i Partizanit, u aktivizua nga minuta e parë në ndeshjen kundër Kukësit dhe normalisht në Brazil mediat kanë “vrapuar” për t’i marrë një intervistë për të folur në lidhje me rifillimin e kampionatit, masat e marra dhe për gjithë periudhën e pandemisë. Mes të tjerash, Cordeiro flet edhe për tërmetin e muajit nëntor, që shkaktoi 51 viktima.
“Kampionati nisi më datë 3, por unë isha i pezulluar. Fatkeqësisht nuk fituam, por isha i lumtur të zbrisja në fushë dhe të luaja përsëri. Ankthi për rikthimin e futbollit ishte i madh dhe situata u ndërlikua. Kisha vështirësi, pasi pata pësuar një dëmtim në shpinë. Pastaj nuk duhet harruar edhe ritmi i lojës, që është normal pas një pushimi të gjatë”, thotë fillimisht braziliani.
Miratimi i një protokolli sanitar strikt solli edhe rikthimin e futbollit dhe problemet ishin jo të pakta. Cordeiroi shton: “Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë nuk donin të lejonin rikthimin e futbollit. Ata thanë se do të ishte një nga gjërat e fundit që do të rikthehej siç ishte. Tani vendi është kthyer në normalitet, u hapën baret dhe restorantet dhe për një moment nuk kishte vetëm futboll”.
Mesfushori jep detaje të rregullave të vendosura: “Është e përcaktuar që në ndeshje të ketë numër të kufizuar gazetarësh dhe të forcave të policisë, të mos lejohen persona që nuk kanë lidhje me lojtarë në dhomat e zhveshjes, si presidentët apo drejtorët. Gjatë udhëtimit duhet mbajtur maska, ashtu sikur është e detyrueshme para se të bëhet nxehja.
Pandemia është më e qetë këtu se në vendet e tjera. Kam parë shumë ekipe, që pasi janë shënuar gola lojtarët kanë festuar me njëri-tjetrin. Sigurisht që ne i shmangim kontaktet, por nuk e kam parë një deklaratë ku thuhet se nuk lejohet të festosh”. Futbollisti i Partizanit flet edhe në lidhje me rregullat e autoriteteve për të përballuar pandeminë e COVID-19.
“Askush nuk mund të dilte në rrugë kot, por vetëm për të shkuar në supermarket dhe farmaci, për një orë. Ushtria ishte në rrugë. Nëse dilje, mund të arrestoheshe. Duhet të rrinim në shtëpi. Pas javës së parë u vendos një numër telefoni dhe mund të merrje leje për të dalë në një orar të caktuat. Nëse dilje në kohën e gabuar, arrestoheshe. Ishte e komplikuar në fakt. Rregullat ishin për të gjithë dhe mendoj se të gjithë qëndruan në shtëpi dhe qeveria bëri një punë të mirë. Qëndrimet ishin të drejta dhe të shpejta.
Në fund ai foli edhe për tragjedinë e muajit nëntor, kur shumë njerëz në Durrës e Thumanë humbën jetën pas një tërmeti të fuqishëm që shkatërroi shumë banesa dhe la shumë të pastrehë. “Ishte e frikshme. Në Tiranë e ndjemë dridhjen, por nuk pati shembje. Në bregdet pati shumë vdekje, fatkeqësisht. Klubi im bëri një gjest të mirë, duke dhuruar veshje dhe sende të tjera për të pastrehët. Pashë gjithçka dhe e vendosa veten në vendin e tyre, pasi kam një djalë dhe kam parë shumë fëmijë në situatën e tyre”, përfundon braziliani. /abcnews.al