Shqipëria do të presë 20 emigrantë të sapo zbarkuar ne Itali, të cilët qëndruan për 5 ditë të bllokuar në bordin e anijes që i shpëtoi në Mesdhe. Ministri i Brendshem italian, Mateo Salvini, ndërsa falenderoi vendin tonë për angazhimin, thumboi qeverinë franceze që refuzoi të merrte disa prej emigrantëve.
Tashmë është zyrtare që Shqipëria do të presë 20 nga 137 emigrantët e rastit Diciotti, të cilët qëndruan për 5 ditë në bordin e anijes së shpëtimit në portin e Katanias. Këta të fundit kanë zbarkuar në tokë dhe pas identifikimit, janë transferuar në Messina në pritje të shpërndarjes mes kishës italiane, Shqipërisë dhe Irlandës. Kjo është konfirmuar nga ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, i cili në një falenderim për Tiranën ka thumbuar Parisin.
“20 emigrantë do të shkojnë në Shqipëri. Qeveria shqiptare është treguar shumë më e mirë se sa ajo franceze. Unë u them faleminderit shqiptarëve dhe turp francezëve”, është shprehur Salvini, sipas asaj që raportohet nga mediat italiane.
Ndërkohë, transferimi i disa emigrantëve të rastit “Diciotti” për në vendin tonë, ishte raportuar dhe më herët nga ministri i Jashtëm Italian Moavero Milanesi, i cili edhe ai falenderoi Shqipërinë për gatishmërinë e treguar.
“Është një shenjë solidariteti shumë e vlerësuar nga Italia”, shkruan në një mesazh në Tuitër Ministria e Jashtme italiane.
Ndërsa zv/kryeministri Luigi di Maio vlerëson vendimin e Shqipërisë për të pranuar klandestinët nga vende të Afrikës.
“Në fund, pas disa ditësh ia dolëm që të paktën të fitonim solidaritetin dhe mbështetjen e vendeve si Shqipëria, që vazhdon rrugën për të hyrë në Bashkimin Evropian, por që për mua është më tepër Evropë se shumë prej kombeve që e kanë Bashkimin Evropian. I dha një shuplakë morale e politike të gjithë atyre oportunistëve evropianë që thonë se duhen ndihmuar emigrantët, duhet ndihmuar Italia dhe në fund na e përplasën derën në fytyrë”, u shpreh ai në një video në Facebook.
Gjithashtu edhe kryeministri i vendit, Giuseppe Conte falenderoi Shqipërinë me anë të një postimi në Facebook.
Kjo ishte zgjidhja që arriti të sigurojë qeveria e Romës pas 5 ditësh përpjekje dhe kontakte me shumë vende të BE-së për transferimin e emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe. Por partnerët Evropianë të Italisë nuk kanë pranuar një gjë të tillë, duke dashur të respektojnë rregullat e azilit, d.m.th emigrantët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë Evropian në të cilin shkelin.
Por prej kohësh qeveria populiste e Romës ka nisur një ofensivë të gjerë kundër emigracionit, me në krye ministrin Salvini, i cili kërkon që edhe vende të tjera të BE-së të strehojnë emigrantë./abcnews.al

