Në pritjen shtetërore të organizuar në Kosovë me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
Në fjalën e tij, Begaj theksoi se Pavarësia e Kosovës erdhi si meritë e përpjekjeve titanike të një populli që nuk u përkul dhe nuk u dorëzua kurrë ndaj padrejtësive dhe gjenocidit.
“Ne besojmë se Evropa e Bashkuar është destinacioni ynë strategjik dhe jetik, është një projekt në shërbim të paqes, demokracisë, sigurisë, stabilitetit e prosperitetit. Shqiptarët besojnë në Bashkimin Evropian, në vlerat që ai përfaqëson, si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e shtetit të Kosovës është akt që bie ndesh me këtë përkushtim. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë qëndrimet e tyre dhe, gjithashtu, Bashkimi Evropian të heqë sanksionet e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës.”
Kreu i shtetit tha se Shqipëria do të jetë gjithnjë pranë Kosovës, në të gjitha përpjekjet e arritjet e saj, duke punuar se bashku për fuqizimin e ndikimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.
“Shqipëria do të jetë gjithnjë pranë Kosovës, në të gjitha përpjekjet e arritjet e saj. Ne do të përkrahim dhe mbështesim kurdo dhe kudo Republikën e Kosovës, në çdo iniciativë integrimi rajonal, në organizatat ndërkombëtare, në rrugën drejt integrimit evropian dhe për njohje të reja. Bashkëpunimi ynë është përgjegjësi, është rruga drejt forcimit të vetë shteteve tona për fuqizimin e ndikimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë, por edhe për forcimin e kombit shqiptar.”/abcnews.al



