Shqipëria dhe Kosova zyrtarizuan sot unifikimin e doganave dhe sistemit kufitar në Morinë. Bashkimi Europian, në kuader të fondeve IPA është finacuesi i këtij projekti të rëndësishëm, i cili synon të krijojë lehtësira në doganë, por edhe përshpejtim procedurash për lëvizjen mjeteve dhe qytetarëve në dy anët e kufirit.
Tani e tutje, Shqipëria dhe Kosova do të funksionojnë me një pikë të përbashkët kufitare në Morinë.
Në inaugurim ishte ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ambasadorja e BE në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe zëvendëskryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Senida Mesi dhe Enver Hoxhaj.
Zëvendëskryeministrja Mesi tha se rekomandimi që mori Kosova për liberalizimin e vizave dhe rrugëtimi evropian i Shqipërisë, shtojnë angazhimet e qeverive përkatëse për sigurimin, dhe menaxhimin cilësor të kufijve”.
“Do të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe sipërmarrësit në kushte më të modernizuara. Dhe këto nuk janë standarde që ne duam të vendosim, por janë standarde të vendosura tashmë nga BE”, tha zëvendëskryeministrja Mesi.
Pika e re e Morinës është një financim i Bashkimit Europian. Ambasadorja Vlahutin e vlerësoi shumë të rëndësishëm këtë projekt, i cili standardizon nivelin e shërbimit qytetar me atë europian.
Investimi përfshin kabina të reja kontrolluese, sistem elektronik dhe ndërtesën administrative të cilat do të mundësojnë zbatimin e menaxhimit të integruar të kufirit. Pika kalimit kufitar në Morinë mbulon pjesën më të madhe të qarkullimit të mallrave përmes Kosovës, si dhe pothuajse të gjithë trafikun turistik që hyn në Shqipëri nga Kosova. /abcnews.al