Shqipëria anëtare e Këshillit të Sigurimit, BE: Presim të punojmë për çështjet globale

schedule19:10 - 11 Qershor, 2021

schedule 19:10 - 11 Qershor, 2021

Ambasadorja shqiptare në OKB, Besiana Kadare e cilëson historike ditën e sotme, ku Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Shqipëria sapo u zgjodh për herë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB! Tepër e lumtur dhe krenare për këtë zgjedhje historike!

Falënderime të ngrohta për të gjitha vendet që na dhanë mbështetjen e tyre dhe na besuan këtë përgjegjësi të madhe! Mirënjohës.

Urime të ngrohta gjithashtu për Brazilin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Ganën dhe Gabonin që sapo u zgjodh në Këshillin e Sigurimit! Ne shpresojmë të punojmë së bashku dhe të bashkëpunojmë ngushtë! Më të fortë së bashku” shkruan ajo.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca pas urimit shprehet se pret të punojë ngushtë me Shqipërinë për adresimin e çështjeve globale.

Ditë historike për Shqipërinë dhe njerëzit e saj. Urime për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të Sigurimit për vitet 2022-2023! Presim të punojmë edhe më ngushtë së bashku në adresimin e çështjeve globale” shkruan ai.

Shqipëria u zgjodh sot anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi ishte i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qënë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. d.b/Abcnews.al