Shqipëri-Kosovë me një president? Rama: Thaçi do të ishte kandidat i shkëlqyer

schedule19:51 - 27 Prill, 2022

schedule 19:51 - 27 Prill, 2022

I pyetur nga gazetarja e ABC, Erneta Shevroja për mundësinë e zgjedhjes së një presidenti të përbashkët Shqipëri-Kosovë, kryeministri Edi Rama tha se Hashim Thaçi do të ishte një kandidat i shkëlqyer. Në një dalje për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë në selinë rozë, kreu i qeverisë kujtoi megjithatë se momentalisht ish-presidenti i Kosovës ndodhet në Hagë ku po gjykohet për krime lufte.

“Do të kishim vënë Thaçin dhe do të ishte i shkëlqyer dhe do ta kishim votuar me bindje dhe kënaqësi. Por ai nuk është i pranishëm, në jetën e bashkësisë qytetare, si qytetar i lirë pasi ndaj tij po zhvillohet një proces që mos e them këtu si është.”

Ndërsa duke u ndalur tek çështja e integrimit dhe ngërçi Bullgari-Maqedoni e Veriut, Rama tha se për të asgjë nuk është surprizë pasi nuk është optimist për rezultatin e negociatave mes RMV-së dhe Bullgarisë.

Ai përsëriti edhe një herë që nëse në fund të këtij gjashtë mujori nuk zgjidhet ngërçi, Shqipëria do të kërkojë që të ndahet si rast nga Maqedonia e Veriut. /abcnews.al/