Shqetësimi për rritjen e çmimit të maskave, Urdhri i farmacistëve: Për shkak të furnizuesve

schedule14:48 - 26 Shkurt, 2020

schedule 14:48 - 26 Shkurt, 2020

 Ditët e fundit qytetarët kanë ngritur shqetësimin për rritjen e çmimit të maskave dhe dezinfektantëve në të gjitha farmacitë e vendit.

Në lidhje me këtë problematikë ka reaguar për mediat kreu i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, Diana Toma, e cila shprehet se rritja e çmimeve ka ardhur për shkak të furnizuesve të farmacive.

“Ditët e fundit është vënë re një rritje e çmimit të maskave, kjo si pasojë e rritjes së furnizuesve. Faturat e subjekteve nga importues shpërndarësit drejt subjekteve farmaceutike kanë pasur çmime të tjera”, deklaroi Diana Toma.

Një arsye tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të maskave sipas kryetares së Urdhrit të Farmacive është edhe shkaku se Kina, që është eksportuesi më i madh i këtyre produkteve ka ndaluar eksportin për shkak të koronavirusit.

“Koronavirusi në fillim goditi Kinën dhe u ndërprenë marrëdhinet jo vetëm të prodhimit, por edhe të furnizimit. Vendet e rajonit janë pak a shumë në të njëjtën situatë të mungesës sikundër ne dhe kanë gjetur mundësi të furnizimit duke shfrytëzuar furnitura të vendeve të rajonit”, u shpreh Diana Toma.

Por a do ketë një ulje të çmimeve për maskat dhe produktet që shërbejnë për parandalimin e simptomave të gripit apo sëmundjeve të ngjashme?

“Problemi i çmimit varet drejtëpërdrejtë më marrëdhënien e importit që do realizohet me vendin prodhues, apo me gjetjen  e mundësive të importeve nga vendet e tjera kundrejt një çmimi tjetër”, tha Toma.

Pas shqetësimit të qytetarëve edhe Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për çmimet abuzive me maskat dhe produktet dezinfektantë nëpër farmaci./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!