Dy punëtorë kanë humbur jetën pas shpërthimit në një hidrocentral të vjetër në jug të Zvicrës, njoftuan autoritetet lokale.
Ngjarja ka ndodhur në një hidrocentral në fshatin Piota, në kantonin e Ticinos. Sipas policisë, shpërthimi u pasua nga një zjarr, duke përfshirë dy punëtorët, të cilët ndërruan jetë më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Një prej viktimave ishte një shtetas zviceran 55-vjeçar, ndërsa identiteti i punëtorit tjetër ende nuk është bërë i ditur.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në ndërtesë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta të aksidentit.
Sipas transmetuesit shtetëror RSI, hidrocentrali i vjetër ishte duke iu nënshtruar punimeve të rinovimit, në kuadër të planeve për rindërtimin e objektit.

